KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Qeveri teknike; Rama : Kontratën e kemi me shqiptarët
Basha: Qeveri teknike për zgjedhje të lira dhe të ndershme

Basha: Qeveri teknike; Rama : Kontratën e kemi me shqiptarët

Afro një vit para mbajtjes së zgjedhjeve të rregullta parlamentare në Shqipëri, kreu i PD në opozitë Lulzim Basha ka deklaruar një aksionin të ri të partisë së tij. Gjatë një bashkëbisedimi të martën në mesditë me gazetarët, zoti Basha tha se krijimi i një qeverie teknike për të shkuar në zgjedhjet e reja do të jetë një kusht, që ato të konsiderohen të lira dhe të ndershme. Sipas tij qeveria e kryeministrit Rama “Po bëjnë gati vjedhjen dhe shkatërrimin e zgjedhjeve të radhës. Kjo është një vijë ndarëse që nuk kalohet. Nuk do të lejojmë prishjen e procesit të ardhshëm zgjedhor. Kushti ynë për garantimin e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme është dhe mbetet qeveria teknike” tha zoti Basha. Kreu i PD foli për një “koalicion për zgjedhje të lira e të ndershme që do të zgjerohet”. I pyetur nëse a ka një premisë për një zgjerim të koalicionit PD-LSI, zoti Basha tha se “Kërkoj bashkëpunimin e çdo force politike, LSI dhe PS të cilët nuk duhet të nisen nga premisa e frikës së votës së lirë, por nga përgjegjësia për zgjedhje të lira. Mirëpres kontributin e çdo force politike, siç mirëprisja kontributin për të arritur konsensusin e 21 korrikut. Reforma zgjedhore është shans për Edi Ramën dhe Ilir Metën. Një gjë është e sigurtë ne nuk do rrimë duarkryq” tha kreu i PD në opozitë Lulzim Basha.
Por kryeministri socialist Edi Rama është përgjigjur këtyre deklaratave me doza ironie. ” Lulëzim Basha kërkon qeveri teknike dhe thotë e ka kusht!…Dikush duhet t’ia mësojë se kushte mund të vendosë vetëm brenda Shqupit dhe t’i thotë edhe aty me pak kujdes, sepse jo të gjithë janë gati t’ia pranojnë çdo lloj kushti – siç tregoi procesi i Reformës në Drejtësi” shkruan zoti Rama në Fejsbuk. “Qeveria ka një mandat për të qeverisur Shqipërinë dhe kontrata jonë me shqiptarët është katërvjeçare. Në asnjë pikë të kësaj kontrate nuk figuron ndonjë detyrim i qeverisë, për t’i bërë babysitting Lulëzimit. Duhet të rritet vetë dhe të mësojë të udhëheqë pa Babisiter!” vazhdon më tej ai. “Lulëzimi më kujton një frazë të bukur të Arrigo Sacchit: Nuk ka më keq për fëmijën se një baba harbut, që e gënjen mendja se i biri është Francesco Totti i ardhshëm!” përfundon reagimin në Fejsbuk kryeministri Edi Rama.
Në debat u përfshi edhe kreu i parlamentit Ilir Meta, i cili vetëm pak ditë para miratimit të Reformës në Drejtësi hodhi idenë e qeverisë teknike. “Unë kam folur për një qeveri teknike që mund të garantonte klimën e besimit për të miratuar një reformë, ku shikoja se një nga shqetësimet e opozitës ishte shqetësimi se mos qeveria do të përdorë pushtetin ekzekutiv për të ndikuar tek reforma në drejtësi. Kjo situatë është një situatë e kapërcyer, reforma u realizua me konsensus, pretendimet e opozitës në përgjithësi për rekomandimin 88 u dakordësuan” tha zoti Meta. “Qeveria teknike për të cilën flet zoti Basha është diçka tjetër, ndërsa ajo që unë mund të them është se angazhimi për zgjedhje të lira dhe të ndershme do të jetë maksimal në mënyrë që të gjithë qytetarët shqiptarë të jenë të qetë dhe të sigurtë se vota e tyre do të jetë e barabartë dhe njësoj e rëndësishme” shtoi kreu i parlamentit dhe kreu i LSI Ilir Meta.