KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Qeveria Rama drejt rrëzimit!

Basha: Qeveria Rama drejt rrëzimit!

Partia Demokratike nuk do të lejojë zhvillimin e zgjedhjeve pa u garantuar vota e lirë, përmes krijimit të një qeverie teknike. Kjo është përgjigja që kryetari i Partisë Demokratike Lulzim Basha i dha deklaratave të kryeministrit, i cili u shpreh të dielën se nuk do të ketë qeveri teknike dhe se zgjedhjet do të zhvillohen në datën e përcaktuar, në 18 qershor, pavarësisht nese opozita merr apo jo pjesë në to. “Fitorja e Shqipërisë europiane, republika e re që do të themelohet mbi votën e lirë të çdo qytetari shqiptar, zgjedhje pa garantuar votën e lirë ne nuk do të lejojmë. Nuk do të ketë zgjedhje fasadë. Ndaj bëji derman vetes, bëhu i zgjuar, jep dorëheqjen, hape rrugën për qeveri teknike dhe zgjedhje të lira dhe të ndershme” ju drejtua zoti Basha kryeministrit Rama.
Duke iu referuar komunikimit që zoti Rama zhvilloi të dielën me qytetarët në Facebook, zoti Basha theksoi se megjithëse kreu i qeverisë pranoi se Shqipëria është në anomali, ai nuk ia njohu vetes përgjegjësitë për këtë situatë, dhe tha se do i shkojë deri në fund. “Si përgjigjen më të mirë ia dha në fund Aurel Plasari që i tha “Mos mor djalë se do përfundosh si Duçja”. Rama, jemi këtu të të shpëtojmë lekurën që mos të përfundosh si Duçja. Edi Rama je i ikur!” tha zoti Basha.
Në takimin e zhvilluar me të rinj në çadrën e protestës së opozitës, kreu i demokrateve theksoi se gjasat janë që protesta në çadër nuk do të vijojë për shumë kohë, pasi qeveria aktuale është drejt rrëzimit.