KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Rama autokrat i dështuar! Ne nuk na tremb Vettingu!
Basha: Rama autokrat! Ne nuk na tremb Vettingu!

Basha: Rama autokrat i dështuar! Ne nuk na tremb Vettingu!

Kreu i PD Lulzim Basha ka reaguar ndaj deklaratave të kryeministri Rama se PD ka përkrahur deputetin gjerman që u shpreh kundër integrimit të Shqipërisë dhe kjo parti po pengon Reformën në Drejtësi duke bllokuar Ligjin e Vettingut. Në një deklaratë të tij shpërndarë pak orë pas komunikimit javor të kryeministrit, zoti Basha shprehet se “E keqja Shqipërisë nuk i ka ardhur asnjëherë nga kritikët dhe nga zërat e lirë që kërkojnë liri, rend, të drejta dhe të vërtetën. E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga autokratët që pushtetin e kanë përdorur për t‘u pasuruar për vete, duke shtypur çdo zë të lirë dhe çdokënd që guxon të mendojë ndryshe nga ata që ju kanë mbajtur ison” shkruan ai.
Duke ironizuar kreun socialist, kreu i opozitës velrëson se “E keqja Shqipërisë i ka ardhur përherë nga ata udhëheqës që për dështimet dhe të zezat që bëjnë vetë kanë fajësuar armiqtë e brendshëm dhe të jashtëm, konspiracionet nga Amerika në Europë; nga ata që betoheshin se bota le të flasë dhe armiku të pëlcasë, por ata do të vazhdonin të palëkundur në rrugën e tyre”.
Sipas liderit demokrat “Edi Rama i shpalli sot deputetët austriakë, gjermanë, hollandezë dhe europianë armiq. Por të gjithë ne shqiptarët e dimë fare mirë se kanë qenë këta “armiq” që kanë miratuar qindra milionë euro ndihmë për popullin shqiptar nga paratë e popujve të tyre, ndërkohë që Edi Rama i rrëmben çdo vit popullit të tij qindra miliona euro për vete dhe klientët e tij”.
Kreu i opozitës Basha deklaron se ligjin e vetingut “Edi Rama e përdor si pretekst të dështimit të tij. Partia Demokratike është pro vetingut dhe reformës në drejtësi. Ajo kërkon që të gjithë të korruptuarit dhe të inkriminuarit, kushdo qofshin ata, demokratë, socialistë, pushtetarë, ish-pushtetarë, gjykatës, prokurorë apo zyrtarë të thjeshtë, të përgjigjen para drejtësisë. Ne do të bëjmë cdo gjë që kemi në dorë që kjo të ndodhë” shkruan zoti Basha. Ai nënvizon se “Partia Demokratike nuk mund të pranojë dhe nuk do të lejojë që procesi i vetingut të bjerë në dorë të Edi Ramës dhe vartësave të tij. Vettingu i Edi Ramës është gjë e mirë vetëm për kriminelët me të cilët Edi Rama erdhi dhe qëndron në pushtet” . “Që të bëhemi pjesë e Europës, Shqipëria duhet të jetë pa drogë, qeveritarët të jenë të ndershëm dhe zgjedhjet e lira” këmbëngul kreu i PD.