KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Rama ka ndarë punët, buxhetin për vete, drogën me kriminelët, burgun për popullin

Basha: Rama ka ndarë punët, buxhetin për vete, drogën me kriminelët, burgun për popullin

Kryetari i Partisë Demokratike në opozitë Lulzim Basha akuzon kryeministrin socialist Edi Rama se ka kthyer në sistem korrupsionin. Në takimin me strukturat e Partisë Demokratike në Kuçovë dhe në Urën Vajgurore, zoti Basha tha se përfituesit kryesorë të tenderave janë 11 miqtë e shefit të qeverisë. “Vetëm këtë vit 45 milionë dollarë fonde publike për 11-shen e miqve të vet, bashkë me shpenzimet për orendi, shpenzime luksi, karburant, makina 234 milionë dollarë kanë shkuar në xhepat e miqve të Edi Ramës, shifër e barabartë me ndihmën ekonomike për një vit për 200 mijë familje. Shifër e barabartë me rrogën 300 mijë lekë në muaj për 55 mijë të punësuar. Në qoftë se këto para do të shpenzoheshin për subvencione për bujqësinë çdo fermer shqiptar do të merrte 500 mijë lekë” u tha zoti Basha të pranishmëve.
Por ai vazhdoi edhe më tej akuzat ndaj kryeministrit Rama kur tha se simbol i kësaj qeverie është edhe krimi dhe droga. “Edi Rama ka ndërtuar një kazermë tiranike të krimit dhe të korrupsionit së bashku me kriminelët më në zë të Shqipërisë. Shikoni si i ka ndarë punët: buxhetin për vete, drogën me kriminelët me të cilët ka ardhur në pushtet. Çfarë mbetet për popullin?! Varfëria, emigracioni, burgu po nuk pagove dot faturën apo do të lidhin sytë në mëngjes dhe do të çojnë tek arat e drogës dhe do ti lidhim prapë në darkë e do të kthejmë në shtëpi, si argat, si skllav i drogës” tha zoti Basha.
Sipas kreut të opozitës është jetike largimi i së keqes, për ti hapur rrugë sikundër tha progresimit të vendit përmes projektit demokrat. “Nuk na duhet thjesht një rotacion, largimi i tyre dhe ardhja jonë. Na duhet një ndryshim epokal në qendër të së cilit do të jetë fuqizimi i qytetarit shqiptar dhe kufizimi i pushtetit të ardhshëm sipas një modeli europian” tha kreu i PD Lulzim Basha.