KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Rama po synon shtetin personal të Enver Hoxhës

Basha: Rama po synon shtetin personal të Enver Hoxhës

Opozita djathtë ka thelluar më tej sulmet e saj ndaj tre deputetëve socialistë, Kokëdhima, Leskaj dhe Suli, për të cilat ajo po kërkon me ngulm heqjen e mandateve duke i akuzuar se kanë përfituar nga fondet publike. Kreu i saj Lulzim Basha gjatë një takimi me mbështetësit e tij në Berat, i ka përmendut gjatë emrat e tyre. “Për një kupon merret dhe shoqërohet në polici, ndërkohë që Koço Kokëdhima që merr 150 transaksione financiare nga paratë e beratasve dhe gjithë shqiptarëve, …E po kështu për Vali Leksajn që ka marrë hekurudhën e Rakip Sulin që merr lekët e OSHE-së që i paguani një për një gjithsecili prej jush” tha zoti Basha. Sipas tij ” Lufta kundër korrupsionit ka qenë dhe mbetet vendimtare për Shqipërinë, por kurrë më parë nuk është vjedhur në shuma të tilla”. Me daklaratat e tij zoti Basha para beratasve, zoti Basha la të nënkuptohej, por pa ja përmendur emrin se përfituesi kryesor është kryeministri Rama. “200 milionë euro pasuri. Por çfarë do të thotë 200 milionë euro pasuri a mund ta imagjinoni? Me 200 milionë euro mbarojnë të gjitha rrugët, i gjithë ujësjellësi i Bashkisë së Beratit dhe teprojnë lekët” tha ai.
Por më së shumti zoti Basha u ndal në atë që ai quajti “beteja për uljen e taksave dhe për çuarjen e parave tek qytetarët”. “E keni parë sesi taksat janë rritur, faturat janë bërë më të kripura. Paraja shkon vetëm në  një drejtim, larg xhepave të qytetarëve në xhepat e qeveritarëve” tha ndër të tjera zoti Basha. Sipas tij, bilanci i qeverisë Rama pas dy vjet e gjysëm në pushtet, po vjen “Me papunësi, me varfëri në rritje, me çmime më të larta, me taksa më të larta, me arbitraritet, me arrogancë, me fjalën burg që nuk i ndahet në asnjë fjalim, me vjedhje të mëdha, me skandale akoma më të mëdha, me asnjë reformë të vërtetë, por me masa represive për të goditur qytetarët, për të goditur tregun, për të goditur biznesin, për të goditur liritë, për të goditur studentët, për të goditur burrat e për të goditur gratë”. “Kjo është rruga që na çon drejt rënies së shtetit ligjor, ndërtimit të shtetit personal të Edi Ramës njësoj si shteti personal i Enver Hoxhës” tha lideri i opozitës.
Zoti Basha tha se “…jetë për Shqipërinë, është rruga e Partisë Demokratike e opozitës, e qytetarëve që nuk duan asnjë minutë këtë gjendje të paparanueshme dhe që kërkojnë shpëtim nga hallet e tyre të përditshme”. “Të prodhojmë për shqiptarët një të nesërme të sigurtë, një ekonomi të fortë që të prodhojë vende pune, me rroga dhe paga më të mira për shqiptarët dhe fëmijët e tyre” tha ai.  Kreu i opozitës Lulzim Basha paraqiti një platformë, për sipas tij, marrjen në dorë të taksave të shqiptarëve nga kthetrat e korrupsionit dhe kthimin e parave në xhepat e tyre. Ai përsëriti propozimet e njohura, kthimin në 9 për qind të taksës së sheshtë për biznesin e mesëm dhe të madh, 9 për qind të kontributit për sigurimet shoqërore dhe 15 për qind për TVSH-ja. “Çfarë do të thotë kjo? Kjo do të thotë që gjithsecili prej jush, çdo shqiptar do të ketë në xhep në fund të vitit për kokë jo për familje, 400 euro më shumë se sesa kanë sot” e konkretizoi mendimin e tij zoti Basha. ” Unë kam ardhur sot këtu t’ju them se ne jemi gati, se PD ka përfunduar plotësisht programin dhe që së shpejti do të ulemi me qytetarët shiqptarë, me beratasit, me fierakt, me lushnjarët, me pogradecarët, me shkodranët, me lezhjanët, anemanë vendit për t’ua shpalosur këtë ofertë dhe njerëzit që do ta vënë atë në veprim” premtoi kreu i opozitës së djathtë.