KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Rama të vijë në çadër me dorëheqjen e tij!
Basha: Rama të vijë në çadër me dorëheqjen e tij!

Basha: Rama të vijë në çadër me dorëheqjen e tij!

Opozita e djathtë shqiptare vazhdon të këmbënguli dorëheqja e kryeministrit socialist Edi Rama. Kur protesta e saj para selisë së qeverisë ka hyrë në ditën e 16-të, kreu i PD Lulzim Basha, vazhdon të akuzojë zotin Rama se është strumbullari dhe kërcënuesi i zgjedhjeve, drejtësisë dhe luftës kundër krimit. “Zhbllokimi i rrugës evropiane të Shqipërisë, përmes zbatimit jo fasadë, por të vërtetë të reformës në drejtësi sipas Kushtetutës së 22 korrikut, vjen dhe fillon vetëm me largimin e strumbullarit të problemit numër 1, të kërcënimit nr 1 për zgjedhjet, për drejtësinë, për luftën kundër krimit, luftën kundër drogës…” tha zoti Basha. Ai shkoi më tej duke i drejtuar një ftesë zotit Rama. “Unë do ta mirëpres në këtë çadër për të firmosur qeverinë teknike, këtu, kapitullimin pa kushte të krimit dhe të drogës. Këtu në këtë shesh për krijimin e kushteve për zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. Do t’ju kërkoj edhe ju që kjo çadër dhe ky shesh, Shqipëria e vërtetë ta mirëpresë si të penduar dhe t’i krijojë kushtet të kontribuojë për zgjedhje të lira dhe të ndershme, duke ardhur me dorëheqjen e tij këtu në këtë çadër” tha zoti Basha. Kreu i opozitës rriti edhe më tej tonet kur tha se “…koha për lojëra ka mbaruar dhe në atë rast nuk je i mirëpritur në çadër, nuk je i mirëpritur në shesh, do të vijë sheshi tek ty”.
Deklarata e zotit Basha erdhi pasi një ditë më parë kreu i maxhorancës Rama kërkoi dialog me opozitën. “Dialog për çdo çështje dhe pa kushte me opozitën, edhe tek çadra po të duan, po opozita nuk duhet të mbajë peng Drejtësinë dhe të ardhmen e këtij populli duke bllokuar Vetingun që çliron Shqipërinë, ekonominë, integrimin, punësimin, nga kthetrat e gjykatësve e prokurorëve të korruptuar” shkruajti zoti Rama në Fejsbuk.