KRYEFAQJA » LAJME » Basha shprehet pro draftit mbi propozimin hibrid dhe i bën thirrje maxhorancës për të gjetur zgjidhjen përfundimtare
Basha i bën thirrje maxhorancës për të gjetur zgjidhjen përfundimtare

Basha shprehet pro draftit mbi propozimin hibrid dhe i bën thirrje maxhorancës për të gjetur zgjidhjen përfundimtare

PD e opozitës ka deklaruar se është pro reformës në drejtësi dhe variantit të paraqitur nga SHBA dhe BE, bëri të ditur  kreu i saj Lulzim Basha në përfundit të një mbledhjeje plot debate të grupit të saj parlamentar të martën pas dite.  “Partia Demokratike është për miratimin e kësaj reforme, pro draftit mbi propozimin hibrid” tha ai pas mbledhjes duke shtuar se ” PD-ja i bën thirrje mazhorancës që së bashku, të ulemi dhe të gjejmë zgjidhjen përfundimtare për çështjen që e mban në mënyrë absurde peng konsensusin”.  Zoti Basha tha se nëse maxhoranca ka të tjera argumente “le t’i konfrontojmë këtu, po të duan edhe publikisht”. Sipas tij “shqiptarët meritojnë një zgjidhje konsensuale dhe unë jam këtu për t’i dhënë një zgjidhje konsensuale”. Kreu i opozitës tha se qëndrimi i grupit parlamentar të kësaj partie është unanim dhe koheziv. Zoti Basha ka komentuar edhe lajmet për zërat kritikë brenda mbledhjes. “Informacionet për fat të keq mbërrijnë të shtrembëruara. Shqetësimi i PD-së është legjitim për shkak të keqpërdorimit të kësaj reforme. Unë po mundohem të vetëpërmbahem, të zbatoj në mënyrë vullnetare moratoriumin në këtë orë të rëndësishme dhe të ftoj mazhorancën për reflektim” tha ai. Lidhur me deklaratat e ambasadorit amerikan Lu ndaj tij zoti Basha tha se “Qëndrimet tona janë koherente. Ky është një debat që jam i gatshëm të pranoj me partnerin tonë strategjik. Por, dje kemi pranuar propozimin e partnerit tonë strategjik dhe presim që marrëveshja të shkojë drejt miratimit, dhe jo drejt abortimit me truke që nuk i mbështesin Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Evropian dhe Partia Demokratike”.