KRYEFAQJA » LAJME » Basha: Vendi përparon me zgjedhje të lira dhe të ndershme
Basha: Vendi përparon me zgjedhje të lira dhe të ndershme

Basha: Vendi përparon me zgjedhje të lira dhe të ndershme

Opozita e djathtë vazhdon të këmbënguli se përparimi i Shqipërisë do të arrihet vetëm kur qeverisja e vendit të ndahet nga krimi dhe paratë e oligarkëve ti kthehen ekonomisë kombëtare. Kreu i PD Lulzim Basha i cili zhvilloi të djelën takime në Vaqarr dhe Farkë afër Tiranës, akuzoi qeverinë e kryeministrit socialist Edi Rama se po i detyron shqiptarët të braktisin vendin e tyre dhe t’i drejtohen emigracionit. Ai tha se PD do të këmbënguli në zgjedhje të lira dhe të ndershme si një kusht për ndryshimin. “Ne duhet të garantojmë zgjedhje të lira dhe të ndershme e t’i japim shqiptarëve atë që është e tyre, Shqipërinë, fondet publike, taksat e ulta, një program të fuqishëm investimesh në bujqësi, në infrastrukturë, në prodhim” tha zoti Basha. Duke spjeguar politikat e PD nëse ajo vjen në pushtet kreu i saj tha se, është e domosdoshme ulja e taksave dhe krijimi i lehtësive për biznesin, investimet publike në infrastrukturë, mbështetje bujqësisë dhe lehtësi për ata që krijojnë vende pune. “Vetëm përmes investimeve mund të krijohen vende të reja pune. Nuk krijohen vende pune vetëm duke u lutur, as duke bërë propagandë, e as duke ndenjur në televizor. Por që t’i krijojmë këto duhet që paratë nga oligarkia të vijnë tek populli” tha kreu i opozitës Lulzim Basha në takimet me banorët e Vaqarrit dhe Farkës.