KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia Dibër: Sot afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KZAZ
Bashkia Dibër: Sot afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KZAZ
EPA/ARMANDO BABANI

Bashkia Dibër: Sot afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në KZAZ

Sot është afati i fundit për regjistrimin e kandidatëve në Komisionin Zonal të Administrimit Zgjedhor të cilët do të marrin pjesë në zgjedhjet lokale në Dibër me 11 shtator të këtij viti. Ndërkohë KQZ-ja po punon për ngritjen e infrastrukturës zgjedhore për këtë proces. Deri tani në KQZ janë regjistruar partitë që do të marrin pjesë në zgjedhje dhe dy koalicionet “Aleanca për Shqipërinë Europiane” dhe “Aleanca Popullore për Punësim dhe Mirëqënie”.

Muharrem Rama do të jetë kandidati i majtë i cili do të mbështetet nga katër parti ndërsa Sherefedin Shehu, një ish-deputet i kësaj zone, do të jetë kandidati i djathtë i cili do të mbështetet nga 12 parti. Zgjedhjet për kryetarin e Bashkisë Dibër mund të quhen një lloj testi për zgjedhjet e vitit të ardhshëm për këtë zonë.

Sipas të dhënave të Drejtorisë së Përgjithshme të Gjendjes Civile, të regjistruar në listat e votuesve, figurojnë 57.018 zgjedhës ndërsa do të prodhohen 58.158 fletë votimi. Procesi zgjedhor në Dibër do të drejtohet nga një KZAZ, dhe për këtë proces janë ngritur 118 qendra votimi. Këto zgjedhje të parakohshme për kryetarin e Bashkisë Dibër vijnë pas vendimit të qeverisë për shkarkimin e ish-kryebashkiakut Shukri Xhelili (PS), pas publikimit të një videoje ku ai shfaqej duke abuzuar me detyrën.