KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Dibrës, shumë shpejt në zgjedhje
Bashkia e Dibrës, shumë shpejt në zgjedhje

Bashkia e Dibrës, shumë shpejt në zgjedhje

Shkarkimi nga detyra i kreut të Bashkisë së Dibrës pas publikimit të një video – skandali seksi, duket se ka mobilizuar si maxhorancën ashtu dhe opozitën për të ngritur në një nivel të ri luftën e tyre politike. Kjo pasi shkarkimi ka provokuar zgjedhje të parakohshme në këtë bashki. Sipas ligjit shqiptar, në rast ndëprerjeje mandati, zgjedhjet duhet të mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e shkarkimit të zyrtarit. Gjithnjë sipas ligjit presidenti do të duhet që brenda 48 orëve të caktojë datën e mbajtjes së zgjedhjeve. Dhe ndërsa po presin të mësojnë këtë datë palët nuk po rrijnë duarkryq.
Edi Paloka, një nga fugurat kryesore të PD ka vizituar Dibrën dhe ka nxituar të fillojë përgatitjet për zgjedhjet e reja. “Fati e deshi që Dibra të provojë këtë maxhorance sesa e gatshme është të bëjë zgjedhje të ndershme” tha zoti Paloka, ndërsa u bëri thirrje dibranëve që të braktisin rilindjen. “Doli që Rilindja nuk ishte drejtimi i duhur dhe dibranët për kaq kohë duhet ta kenë kuptuar se duhet të rikthehen nga fillimi drejt demokracisë dhe progresit” u shpreh ai.
Nga ana e tyre socialistët po vazhdojnë të shprehin tronditjen por edhe mosaprovimin për këtë ngjarje turpëruese. Nga Korça, zëvendëskryeministri Niko Peleshi tha se qeveria është e vendosur të mbajë të njëjtin qëndrim ndaj çdo zyrtari, pa asnjë hezitim. I pyetur për zgjedhjet e reja, ai tha se ndryshimet e bëra në Shqipëri në vitet e qeverisë socialiste shkojnë në favor të mbështetjes së maxhorancës së majtë.
Fitorja e Partise Socialiste në Bashkinë e Dibrës në zgjedhjet e vitit të kaluar, vinte pas 12 viteve të drejtimit të saj nga demokratët, ndërsa fitorja e përfaqësuesit të së majtës ishte gati me fotofinish. Ndaj dhe zgjedhjet e reja do të priten ne shumë interes. Disa analistë i quajnë ato test i rëndësishëm për qeverinë e kryeministrit Rama.