KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Tiranës: Të rinj aplikoni për të financuar bizneset tuaja!

Bashkia e Tiranës: Të rinj aplikoni për të financuar bizneset tuaja!

Bashkia e Tiranës ofron mbështetje financiare për të rinjtë që kanë një ide biznesi. Të rinjtë nga mosha 18-35 vjeç mund të aplikojnë deri në fund të muajit nëntor për të përfituar nga programi i nxitjes së punësimit një grant prej 500 mijë lekësh të reja, që do t’i ndihmojë të ngrenë biznesin e tyre. Drejtori i drejtorisë së nxitjes së punësimit pranë Bashkisë së Tiranës Fatjon Dhuli thotë se do të përzgjidhen 20 projekt-ide. “Të rinjtë duhet të paraqesin vetëm projekt-idenë. Më pas do të jenë një grup specialistësh që do t’i ndihmojnë ata përmes trajnimit të hartojnë plan-biznesin” spjegon zoti Dhuli. “Ne kemi prioritet bizneset sa më inovatore, bisneset në fushën e teknologjisë së informacionit, bizneset nga zonat rurale, bizneset nga personat me aftësi të kufizuara, komuniteti rom apo egjiptian etj. Ata kanë vetëm një detyrim i cili është hapja e liçencës, pajisja me kasë fiskale dhe detyrimet kundrejt drejtorisë së tatimeve” shtoi më tej ai. Të rinjtë e interesuar mund të gjejnë formularin e aplikimit në faqen zyrtare të Bashkisë së Tiranës në internet.