KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Tiranës i thotë jo rritjes së cmimit të biletave të urbanëve
Rikthehet konkurrenca shtet - privat

Bashkia e Tiranës i thotë jo rritjes së cmimit të biletave të urbanëve

Viti që tashmë po mbyllet, po shoqërohet me një përplasje të fortë mes Bashkisë së Tiranës dhe shoqatës së transportit publik urban. Kjo e fundit ka kërkuar që të rriti cmimin e biletës nga 30 lekë në 70 lekë. Kryetari i Bashkisë, Erjon Veliaj ka hedhur poshtë këtë kërkesë, por përfaqësuesit e shoqatës paralajmëruan se më 1 janar nuk do të ketë transport publik. “Sigurisht që situata është e rëndë, por kryetari i Bashkisë e bëri të qartë që çmimi 70 lekë nuk bëhet. Në këtë moment nuk është e mundur” tha nënkryetari i bashkisë Arbjan Mazniku. Si një shqetësim të bashkisë ai nënvizoi shërbimin jo cilësor që ofrojnë operatorët e transportit publik në kryeqytet.
Por përfaqësues të shoqatës së transportit publik thanë se nuk kanë mundësi ekonomike për të përballuar me këtë çmim”. “Është çmimi më i ulët në botë. Kemi 1500 punëtorë dhe kemi 4-5 muaj që nuk japim pagat. Çmimi i biletës është shqetësimi ynë kryesor. Nuk mbijetojmë dot më sepse kemi borxhe nëpër banka” thanë ata.
Kjo nuk është hera e parë që operatorët e transportit publik urban në Tiranë kërkojnë rritjen e cmimit të biletave. Një gjë e tillë ka ndodhur edhe kur në krye të bashkisë ishte kreu aktual i opozitës Lulzim Basha. Kryetari i ri i Bashkisë Erion Veliaj, ka hedhur poshtë cdo mundësi të rritjes së cmimit të biletës, madje ka kërcenuar se do të rishikojë edhe licencat për operatorët që kërkojnë të futin transportin urban në vështirësi. Ndërkohë ka patur spekullime se midis palëve është arritur një marrëveshje e fshehtë sipas së cilës cmimi i biletës mund të shkojë në 50 lekë, por prej tyre nuk ka komente.