KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Tiranës instalon banja publike portative
Bashkia e Tiranës instalon banja publike portative

Bashkia e Tiranës instalon banja publike portative

Bashkia e Tiranës njoftoi se ka instaluar banja publike portative në disa prej pikave kryesore të kryeqytetit. Lajmi është dhënë nga vetë kryetari i saj Erion Veliaj në rrjetin social “Tuiter”. “Banjo publike tek Pedonalja, Piramida, Parku Rinia dhe Pallati i Kongreseve! Tani s’ka asnjë justifikim! Pastërti me çdo kusht!” shkruan zoti Veliaj. Pritet që banja të tilla të vendosen edhe në pika të tjera kyçe të kryeqytetit ku qarkullimi i qytetarëve është i madh.
Pak ditë më parë Bashkia e Tiranës mori disa masa për të ndaluar ndotjen, shkatërrimin e ambienteve, zënien e hapsirave publike dhe ndërtimet pa leje. Vetë zoti Veliaj ka paraqitur 7 gjobat që variojnë nga 50 mijë deri 5 milionë lekë. Por ajo që ra më shumë në sy ishte ashpërsia e zotit Veliaj ndaj atyre që kryejnë nevojat e fiziologjike në ambientet publike. Sipas tij gjoba në të tilla raste shkon deri 200 mijë lekë.
Sa për histori, nga viti 1930 i shekullit të kaluar kur u ngrit banja e parë publike në kryeqytetin e mbretërisë shqiptare, deri në fillim të viteve ’90 të shekullit të kaluar, egzistonin 8 të tilla të ndërtuara në pikat kryesore të qytetit. Por ato u zhdukën pas ndërtimeve dhe sistemimeve të Tiranës në vitet e tranzicionit.