KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Tiranës operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun e Liqenit
Bashkia e Tiranës operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun e Liqenit

Bashkia e Tiranës operacion për prishjen e ndërtimeve pa leje në Parkun e Liqenit

Bashkia e Tiranës po vazhdon me intensitet prishjen e të gjitha ndërtimeve pa leje në territorin e Parkut të Liqenit Artificial të Tiranës. Sipas saj janë rreth 100 ndërtesa pa leje, të palegalizuara dhe të pahipotekuara, të cilat në vite kanë zaptuar liqenin dhe kanë shfrytëzuar hapësirat e tij për biznese private. Ndërtimet pa leje që po prishen janë kryesisht kafe, parkingje apo lavazhe. I pranishëm gjatë operacionit, kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj tha se çdo pronë apo hapësirë publike e uzurpuar do t’i kthehet publikut. Ai gjeti rastin edhe një herë të deklarohet rreth çështjes së pallatit 17-katësh që po ndërtohet poshtë digës së Liqenit Artificial.  Zoti Veliaj i cili është shprehur kategorikisht kundër këtij ndërtimi dhe i është drejtuar gjykatës, ftoi kreun e shtetit dhe opozitën që ti bashkohen kundërshtimit të qytetarëve dhe shoqërisë civile. “Në seancën gjyqësore Bashkia e Tiranës do të kërkojë shfuqizimin e lejes. Pra, Bashkia e Tiranës, për herë të parë, për çështjen e 17-katëshit te diga do të jetë në gjyq përkrah INUK-ut dhe me qytetarët e Tiranës, me ambientalistët, me të rinjtë që duan të shijojnë Parkun e Liqenit pa pallate” tha zoti Veliaj. “Kjo është një ftesë publike për cilindo, duke filluar nga presidenti i republikës, deri tek ambientalisti apo qytetari më i fundit, që të shprehin gjithashtu qëndrimin e tyre, çfarë mendojnë për çështjen e pallatit 17-katësh” shtoi më tej ai.