KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia e Tiranës reagon pas protestave të banorëve te Bulevardi i Ri
Bashkia e Tiranës reagon pas protestave të banorëve te Bulevardi i Ri

Bashkia e Tiranës reagon pas protestave të banorëve te Bulevardi i Ri

Bashkia e Tiranës ka reaguar të enjten pas protestave të njëpasnjëshme të banorëve, banesat e të cilëve do të shpronësohen për ndërtimin e Bulevardit të Ri në kryeqytet. Sipas njoftimit të bashkisë, zyrarët e saj kanë zhvilluar disa takime me përfaqësuesit e familjeve për t’u dhënë zgjidhje shqetësimeve të tyre.“Bashkia e Tiranës është e gatshme të ndihmojë të gjitha familjet në fjalë dhe të ofrojë zgjidhje brenda hapësirave ligjore” bëhet e ditur në njoftim. Por nga ana tjetër thekson Bashkia e Tiranës, bëjmë me dije se shpronësimi për interes publik, të pronarëve dhe poseduesve të pasurive të paluajtshme, pronë private, që preken nga zbatimi i projektit “Bulevardi verior dhe rehabilitimi i lumit të Tiranës”, është bërë me vendim të Këshillit të Ministrave nr. 752, datë 5.9.2013. Referuar këtij vendimi, Bashkia e Tiranës është përcaktuar që të shpërndajë dëmshpërblimet për pronarët dhe poseduesit e pasurive të paluajtshme, sipas masës përkatëse që paraqitet në tabelat bashkëlidhur VKM-së dhe që janë pjesë përbërëse të këtij vendimi. Roli i Bashkisë së Tiranës në këtë proces është të dëmshpërblejë familjet sipas tabelës shoqëruese të VKM dhe nuk ka asnjë funksion në përcaktimin e çmimit të shpronësimeve, sqaron bashkia e Tiranës.
Megjithatë Bashkia e Tiranës mbetet e hapur të komunikojë me përfaqësuesit e familjeve të prekura nga shpronësimet për alternativën e propozuar prej saj, duke ofruar si zgjidhje për strehimin e familjeve e shpronësuara banesa sociale ose bonus qeraje. Banorët shtëpitë e të cilëve do të shpronësohen për ndërtimin e Bulevardit të Ri në Tiranë, këmbëngulin se dëmshpërblimet që u janë ofruar atyre janë mjaftë të ulta dhe ata nuk mund të blejnë shtëpi qoftë dhe në periferi të Tiranës.