KRYEFAQJA » LAJME » Bashkia prezanton masterplanin e Parkut të Liqenit
KQZ rrëzon kërkesat për referendum

Bashkia prezanton masterplanin e Parkut të Liqenit

Bashkia e Tiranës prezantoi masterplanin për hyrjen e Liqenit Artificial të Tiranës. Prezantimi u bë nga vetë kryetari i bashkisë Erion Veliaj. Sipas tij masterplani sëbashku me planin për hyrjen e Liqenit do të shtojnë 5.5 hektarë gjelbërim në parkun e Liqenit. “Sot janë shtuar 5.5 hektarë nga ish – Garda Republikës. Do të rrafshohen 13 ndërtesa. Nga 14 ndërtesa ngelet vetëm 1 ndërtesë. Masterplani i Liqenit është ndarë në 10 miniprojekte, një prej tyre është rehabilitimi i digës, një tjetër është pista e vrapimit, një tjetër është zona e plazhit. Fondi Shqiptar i Zhvillimit ka vendosur që projekti i parë të jetë parku i madh i lodrave të fëmijëve”, tha kreu i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj.
I pranishëm ishte dhe zëvendëskryeministri, Niko Peleshi, i cili ju kthye edhe njëherë konkursit të Hyrjes së Parkut i cili u shty pak kohë më parë pas protestave të ambientalistëve dhe qytetarëve. “Përmes dy planeve sipërfaqja e gjelbër e Liqenit shtohet me rreth 50 hektarë. Është një përgjigje ndaj shqetësimit qytetar. Sipërfaqja e Gardës i rikthehet qytetarëve. Shërbimet publike kryesore do të integrohen më pranë dhe për të qenë më transparente. Bashkia e Tiranës është sot këtu për të treguar vullnetin e saj” tha zoti Peleshi.
Ndërsa zoti Velia prezantonte masterplanin e  Parkut të Liqenit, një grup këshilltarësh të djathtë të bashkisë së Tiranës vizituan disa familje të komunitetit rom të cilët vijojnë të jetojnë aty dhe nuk janë zhvendosur  edhe pas thirrjeve të bashkisë per t’u larguar. Këshilltari i PD Leonard Olli tha se bashkia nuk po zbaton rekomandimet e Avokatit të Popullit. “Qeveria dhe bashkia në emër të fasadës po diskriminon. Ndryshe nga sa kanë deklaruar në fushatë po tregohen agresivë me masa shtypëse ndaj të varfërve. Vetëm pak metra më tutje qeveria po bën fasadën e rradhës me projekin e liqenit që nuk dimë asgjë. Pashallarët e rinj te kuq mendojne vetem per interesat e tyre personale dhe menyren sesi te vjedhin parate e shqiptareve dhe duan te largojnë shqiptaret nga Shqipëria” tha Olli.
Nga ana e tij në distancë kryetari Velia tha: “Një nga premtimet që po mbajmë është ai për të kthyer parkun e liqenit në një park që u takon qytetarëve të Tiranës dhe jo zaptuesve të Tiranës, në një park që ka nevojë për gjelbërim dhe jo që ishte kthyer në një gropë septike.  Sigurisht që është më mirë që jemi ndarë kështu. Avokatët e zhulit, avokatët e gropave septike, avokatët e gjelbërimit, avokatët e pastrimit në anën tjetër”.
Situata u ndërlikua më tej kur zoti Olli u gjend para zotit Veliaj dhe i zgjati dorë. Ky xhest u shoqërua me shkëmbime replikash mes tyre.