KRYEFAQJA » LAJME » Tiranë, Bashkia publikon hartën e tregjeve
Bashkia publikon hartën e tregjeve

Tiranë, Bashkia publikon hartën e tregjeve

Bashkia e Tiranës ka bërë publike hartën e tregjeve ushqimore dhe atyre të gjelbëra. Sipas kreut të Bashkisë Erionn Veliaj janë të paktën 16 tregje të shpërndara në pjesën më të madhe të njësive administrative. Publikimi i hartës u jep mundësinë jo vetëm shitësve ambulantë, që produktet ushqimore t’i shesin me kushte higjenike, por edhe qytetarëve të gjejnë lehtësisht tregjet. “Bashkia e Tiranës po krijon infrastrukturën që askush të mos shesë në rrugë” shkruan me këtë rast në Fejsbuk kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj.
Veç 16 tregjeve që kanë kohë që funksionojnë, herë pas here në raste festash, tregje provizore ngrihen në zona te caktuara. Në festat e fundvitit të kaluar, për herë të parë qytetarët iu drejtuan Baldushkut në periferi të Tiranës për të blerë gjelat e detit. Të paktën 200 fermerë shitën me këtë rast produktet e tyre.
Ndërkaq Bashkia e Tiranës po shikon mundësinë e krijimit të tregjeve ditorë provizorë. Sipas kësaj ideje e cila ka marrë jetë në vende të ndryshme, tregëtarët shqiptarë do të mund të shesin prodhimet e tyre sipas një kalendari të përcaktuar, në zona të caktuar. Zyrtarë të bashkisë shprehen se kjo jo vetëm do të jetë një mundësi më shumë për tregëtarët dhe blerësit, por edhe si një mënyrë për të ulur evazionin fiskal dhe të rrisin të ardhurat e bashkisë.

Tregjet e licencuara janë :

Tregu Pazari i Ri
Tregu ”Mihal Grameno”
Tregu “Xhamlliku”
Tregu “Shkolla e Bashkuar”
Tregu “Vasil Shanto”
Tregu “1 Maji”
Tregu “Kombinat”
Tregu “Industrial”
Tregu “Artan Lenja”
Tregu “4 Dëshmorët”
Tregu “Uzina Dinamo”
Tregu “Stacioni Trenit”
Tregu “Mine Peza”
Tregu “Him Kolli”
Tregu “Pandi Dardha”
Tregu “Institut”