KRYEFAQJA » LAJME » BASKETBOLL FEMRA, TIRANA FITON SUPERKUPËN
basketboll, femra, tirana vllaznia, superkupa, tirana fiton superkupen

BASKETBOLL FEMRA, TIRANA FITON SUPERKUPËN

Tirana në basketboll për femra është rikthyer tek trofetë e munguar, ndërsa të mërkurën në mbrëmje është shpallur fituese e Superkupës së Shqipërisë. Më tepër sesa fitimi i këtij trofeu simbolik, që vë përballë kampionen në fuqi me fituesen e Kupës, apo, kur këto të dyja janë e njëjta skuadër, me ekipin finalist të Kupës, në këtë rast Tiranën, ky triumf i vajzave bardheblu të drejtuara nga trajneri Erdal Borova, ka sinjalizuar edhe një betejë interesantë në gjysmëfinalet e “play-off”-it për titullin në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit të Femrave. Në fakt, sfida e sotme ka qenë një ndeshje mjaft e barazpeshuar, me Flamurtarin që fiton pjesën e parë 19-18 dhe me Tiranën që kundërpërgjigjet, duke e fituar të dytën 17-16 dhe duke bërë që, në pushim të ndeshjes, të dyja skuadrat të shkojnë me rezultatin e barabartë 35-35. 10-minutëshi i tretë ka vendosur fatin e ndeshjes, pasi Tirana e fiton atë 16-9, duke marrë kryesimin në 51-44. Skuadra vlonjate, e drejtuar nga trajneri Viron Toska, e ka marrë pjesën e fundit 9-8, por kjo s’ka mjaftuar për të shmangur humbjen me shifrat 53-59. Kjo ishte humbja e dytë radhazi për Flamurtarin, që edhe në ndeshjen e fundit të sezonit të rregullt të kampionatit, u mund në Vlorë nga Goga Basket. Ndërkohë, Tirana rigjen trofeun e Kupës së Shqipërisë në basketboll për femra pas plot 13 vjetësh, ku në 10 prej tyre ka triumfuar Flamurtari, ndërsa nga një herë Luftëtari dhe Flamurtari. Tanimë koshi shqiptar i vajzave bëhet gati për ndeshjen gjysmëfinale të e “play-off”-it për titullin në Kampionatin Kombëtar të Basketbollit.