KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll, kalendari i Tiranës në Ligën Europiane

Basketboll, kalendari i Tiranës në Ligën Europiane

Shqipëria do të marrë pjesë në Ligën Ballkanike të meshkujve dhe pasi ka mësuar kundërshtarët e grupit, ekipi përfaqësues i saj, Tirana, ka mësuar edhe kalendarin e ndeshjeve në këtë veprimtari rajonale. Bardheblutë e koshit do të jenë në grupin B, përballë dy skuadrave kosovare, dy skuadrave maqedonase dhe një skuadre malazeze. Bardheblutë, që këtë sezon do të drejtohen nga trajneri maqedonas, Sllobodan Petrovski, nisin gjithçka nga kryeqyteti shqiptar më 11 tetor 2016, me përballjen me Trepçën e Mitrovicës. Më pas vijojnë 3 ndeshje në fushë të huaj, ndaj Feni Industries më 19 tetor në Maqedoni, ndaj Sutjeskës më 26 tetor në Mal të Zi dhe ndaj Karpos Sokolit më 9 nëntor 2016 në Maqedoni. Bardheblutë rikthehen më 16 nëntor 2016 në kryeqytetin shqiptar për të pritur Pejën, për të udhëtuar 8 ditë më pas drejt Mitrovicës, ku do të ndeshjen me Trepçën. Më pas vijojnë 3 ndeshje në shtëpi, ku Tirana do të presë në “Asllan Rusi” maqedonasit e Feni Industries më 7 dhjetor, malazezët e Sutjeskës një javë më pas dhe maqedonasit e Karpos Sokolit më 18 janar 2017. Aventura ballkanike në grupe për bardheblutë e koshit mbyllet më 25 janar 2017 me vizitën që do t’u bëjnë Pejës. Siç dihet 12 skuadra pjesëmarrëse në Ligën Ballkanike janë ndarë në dy grupe me nga 6 skuadra, prej të cilave katër të parat e çdo grupi kualifikohet për fazën çerekfinale.