KRYEFAQJA » LAJME » BASKETBOLL, KOMBËTARJA NIS PËRGATITJET
basketboll, meshkuj, antonis kostandinis

BASKETBOLL, KOMBËTARJA NIS PËRGATITJET

Grupi i lojtarëve që kanë zbritur në parketin e Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” nuk ishte plotësisht ai që do të kishte dëshiruar, por për trajnerin Antonis Kostantinides, do të synohet marrja e maksimumit nga ky grup. Kostantinides u shpreh: “Do të kishim dëshiruar t’i kishim këtu edhe 3-4 basketbollistë të spikatur shqiptarë që militojnë nëpër Evropë, për më tepër që Kombëtarja është një thirrje që nuk mund të mos merret në konsideratë, por ata kanë zgjedhur t’i thonë “jo” dhe kjo është çështje e tyre. Ne shpresojmë të marrim sa më tepër të jetë e mundur nga grupi i lojtarëve që kemi në dispozicion.”

Për trajnerin qipriot të kuqezinjve të koshit, më tepër sesa rezultatet, ajo që synohet në këtë pjesëmarrje është përfitimi i përvojës, konsolidimi i grupit dhe hedhja e themeleve për një paraqitje më të mirë në Eliminatoret e ardhshme. “Të jemi të sinqertë, me dy skuadra që kanë në përbërje lojtarë nga Euroliga apo NBA-ja, siç janë Mali i Zi dhe Gjeorgjia, apo edhe me një skuadër në rritje si Sllovakia, nuk mund të flasim për objektiva ambiciozë. E për më tepër nga një skuadër që ka disa vite që mungon në arenën ndërkombëtare dhe rikthehet bashkë për vetëm një muaj. Ne do të synojmë të mësojmë nga kjo pjesëmarrje dhe të konsolidojmë grupin e lojtarëve që ta kemi për Eliminatoret e ardhshme.”

Ndeshjet e Kombëtares kuqezi të basketbollit të meshkujve nisin më 21 gusht, për të përfunduar më 17 shtator.