KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll, rrëfehet amerikani i kombëtares kuq e zi

Basketboll, rrëfehet amerikani i kombëtares kuq e zi

E para është fjala dhe, për shqiptarin më të ri të basketbollit, fjalët e para janë ato më të thjeshtat. Amerikani Reshon Inill Broudus ka hyrë në histori si importi i parë i basketbollit shqiptar dhe vetëm pak ditë më parë mori edhe pasaportën shqiptare.
“Jam i lumtur për mundësinë që më është dhënë dhe mezi pres ta nis me Shqipërinë. Jam i ndërgjegjshëm se është një barrë e rëndë për mua, duke qenë i pari i huaj që luan për Shqipërinë… Është thjesht e pabesueshme.” u shpreh amerikani Reshon Broudus.
Amerikano-shqiptari 32-vjeçar e ka të qartë se e pret një mision i vështirë.
“Shpresoj të përshtatem sa më shpejt, ndonëse duhet theksuar se koha në dispozicion është mjaft e shkurtër. Por, sapo të kthehet skuadra nga Estonia, besoj që do të kem mundësi t’i njoh dhe të përshtatem, sepse jam një lojtar me përvojë.” tha ai.
Për basketbollistin që luan si organizator, kyçi i rritjes së lojës së Kombëtares së Shqipërisë është besimi në aftësitë e saj dhe ai premton të japë gjithçka për fanellën kuqezi.