KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll: Shqipëria humbet me Sllovakinë në ndeshjen e tretë eleminatore

Basketboll: Shqipëria humbet me Sllovakinë në ndeshjen e tretë eleminatore

Kombëtarja shqiptare e basketbollit ka pësuar humbjen e tretë në eliminatoret e kampionatit evropian. Të mërkurën në mbrëmje, kuqezinjtë janë mundur nga Sllovakia me rezultatin 69-60, ndeshje kjo e luajtur në Prievidza. Ndryshe nga dy ndeshjet e para, këtë radhë basketbollistët tanë luajtën më mirë dhe ishin më rezultativë në gjuajtje. Me pak fat edhe mund ta kishim fituar këtë takim, pasi në dy pjesët e para, loja ka qenë e barabartë. 10 minutat e para janë mbyllur 14-11 për sllovakët ndërsa 10 minutat e dyta me rezultatin e barabartë 20-20. Fraksioni i tretë flet për vendasit që janë më kërkues dhe krijojnë diferencën. Në 10 minutat e fundit basketbollistët tanë luajnë më mirë dhe arrijnë të ngushtojnë diferencën në 5 pikë, 59-54. Por disa gabime në sulm sjellin sërish shkëputjen e vendasve. Loja bëhet më emocionuese teksa lojtarët tanë janë më kërkues drejt fitores së parë, por jo çdo gjë shkon mirë për ta. Megjithë zëvendësimet e trajnerit Kostandinidis, kombëtarja shqiptare e koshit nuk arrin të fitojë, ndërsa për Sllovakinë vjen fitorja e parë në finalet e këtyre eliminatoreve të “Euro basket 2017”.