KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll: Shqipëria mundet 47-86 në Gjeorgji
Basketboll: Shqipëria mundet 47-86 në Gjeorgji

Basketboll: Shqipëria mundet 47-86 në Gjeorgji

Padyshim, ky ishte edhe kulmi i një vere të basketbollit, që nisi sprintin e fundit 3-javor. Pas disa vitesh mungesë, Shqipëria e basketbollit është rikthyer në parketin ndërkombëtar, duke luajtur të mërkurën në mbrëmje ndeshjen e parë të vlefshme për grupin F të Eliminatoreve të Evropianit 2017. Me një trajner të ri në drejtim, qipriotin Antonis Konstantinides, dhe me një skuadër ku ndërthuret elementi i ri, me atë me përvojë, por edhe me një import historik, siç ishte amerikani Reshon Broudus, Kombëtarja kuqezi e koshit të meshkujve ka dhënë shkëndija shprese, por sërish ka treguar se ka ende punë për të bërë. Kuqezinjtë e Kostandinidesit janë mundur 47-86 në Gjeorgji përballë përfaqësueses vendase, e cila ka bërë diferencën edhe falë disa prej lojtarëve të saj që luajnë në kampionatin amerikan të basketbollit, NBA. Gjeorgjia e ka nisur fort pjesën e parë, duke shënuar 21 pikë e duke i kufizuar kuqezinjtë në vetëm 9 pikë. Edhe e dyta ka të njëjtën tablo, duke u mbyllur me shifrat 24-10 dhe duke bërë që vendasit të shkojnë në pushim të ndeshjes me epërsinë e thellë 45-19. Dy pjesët e tjera kanë qenë disi më ndryshe për Shqipërinë, por sidoqoftë fitohen nga vendasit 23-13 dhe 18-15 dhe, në përfundim, Gjeorgjia fiton me shifrat 47-86. Kjo ndeshje u soll për sportdashësit drejtpëdrejt nga Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, i cili, falë një marrëveshjeje disavjeçare me Federatën Shqiptare të Basketbollit, do të sjellë të gjitha emocionet koshit kuqezi.