KRYEFAQJA » LAJME » Basketboll, sonte Mali i Zi – Shqipëri
shqiperi, mal i zi, ndeshje, basketboll, neser ndeshja

Basketboll, sonte Mali i Zi – Shqipëri

 

Shqipëria luan sonte takimin e 5-të të vlefshëm për grupin F, atë ndaj Malit të Zi, që është edhe takimi i parafundit në kuadër të Eliminatoreve të Evropianit 2017 të Basketbollit. Për trajnerin qipriot të kuqezinjve, Antonis Konstandinides, kjo është ndeshja më e fortë e grupit, ndërsa synimi real sonte është që përfaqësuesja e koshit të vazhdojë të përmirësohet në lojën e saj. Konstandinides shprehet se: “Ndeshja në fushë të huaj ndaj Malit të Zi është më e vështira për ne, sepse është skuadra më e mirë e grupit, për të mos thënë që radhitet midis 2-3 më të mirave nga 27 ekipet që marrin pjesë në këto Eliminatore. Por do të jetë një ndeshje mjaft e vështirë dhe ne jemi përgatitur për këtë.” Konstandinides nuk do të ketë sonte shërbimet e amerikanit të Kombëtares kuqezi, Rishoun Broudus, i cili vuan një dëmtim dhe stafi teknik ka vendosur që ai të mungojë në sfidën me Malin e Zi për të qenë në maksimumin e vet në ndeshjen e fundit, atë ndaj Sllovakisë. “Natyrisht që do të jetë e vështirë për të gjithë skuadrën pa të sonte, por ne jemi përgatitur për ndeshjen e sotme, duke e studiuar kundërshtarin, duke synuar të korrigjojmë gabimet e bëra në ndeshjen e parë me malazezët në Tiranë. Synimi ynë real sonte është të vazhdojmë të përmirësohemi lojën e mirë që kemi bërë në gjysmën e dytë me Malin e Zi, në ndeshjen me Sllovakinë e sidomos në ndeshjen me Gjeorgjinë”, vazhdoi ai më tej. Shqipëria e ka humbur ndeshjen e parë me Malin e Zi, të luajtur në Tiranë para 10 ditësh, duke u mundur nga skuadra mike me rezultatin 73-113, ndërsa takimi i sotëm do të zhvillohet në Podgoricë, duke nisur nga ora 21:00.