KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Baza Ajrore e Kuçovës-qendër e integruar për grumbullimin e produkteve bujqësore
20 milion dollaresh per 20 vitesh e ardhshme ne Berat

Baza Ajrore e Kuçovës-qendër e integruar për grumbullimin e produkteve bujqësore

Baza Ajrore e Kuçovës do të ndryshojë destinacion. Ajo do të kthehet në një qendre multi-funksionale, për grumbullimin, seleksionimin, ambalazhimin, ruajtjen dhe tregtimin të frutave e perimeve të freskëta. Ministrja e Zhvillimit Ekonomik, Turizmit, Tregtisë dhe Sipërmarrjes, Znj. Milva Ekonomi firmosi me sipërmarrësin e kompanisë “BOMIRA SHPK”, z. Ylli Aliaj, kontratën e qirasë me tarifën simbolike 1 euro/kontrata. “Kjo, tha Ministrja Ekonomi, është kontrata e 21-të që ne firmosim në kuadër të kontratave të qirasë me tarifën simbolike 1 euro, që nënkupton se subjekti paguan qira vetëm 1 euro për 20 vjet për pasurinë shtetërore që merr në përdorim”. “Shoqëria angazhohet të kryejë një investim fillestar prej rreth 2 milion USD dhe parashikon një investim total prej 20 milion USD, në objektin që do të marrë me qira”, u shpreh Ekonomi. Duke dhënë detaje të kësaj kontrate, Ministrja Milva Ekonomi deklaroi se “deri në fund të vitit 2018 do të jenë të punësuar 50 punonjës, periudhë kjo që përkon dhe me kohën e përfundimit të investimit”.
Sipërmarrësi Ylli Aliaj, pas nënshkrimit të kontratës tha se mbi këtë sipërfaqe do të ndërtohet një qendër e integruar për grumbullimin e produkteve bujqësore. Kjo nuk është thjeshtë një qendër grumbullimi, por një qendër e integruar. Fillimisht do të bëhet seleksionimi i produkteve e pastaj paketimi i tyre. Në planin tonë të biznesit parashikojmë ndërtimin e një laboratori për certifikimin e çdo produkti që do të merret përsipër të tregtohet në tregun tonë dhe atë të huaj. Të gjithë fermerët do të kenë mundësinë që në këtë qendër, të certifikojnë produktet e tyre. Përparësia tjetër që do të ofrojë kjo qendër është që, të gjithë fermerët, pas një periudhe dy vjeçare, do të kenë mundësi të orientohen se çfarë do të kultivojnë në sipërfaqet e tyre, pasi sot që nuk ka një program të tillë për fermerin. Përveç kësaj, do të bëhet dhe afrimi i imputeve për fermerët, me një cilësi të madhe të farnave. Kjo do të mundësojë që prodhimi, në një sipërfaqe të barabartë me atë që fermeri ka sot, të jetë tre herë më i madh nesër, në sajë të këtyre trajnimeve që do bëhen për fermerët.