KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BB- optimizëm i matur për ekonominë shqiptare
BB-optimizëm i matur për ekonominë shqiptare

BB- optimizëm i matur për ekonominë shqiptare

Ekonomia shqiptare do të ketë një rritje të brishtë gjatë 2015. Në një raport të fundit, Banka Botërore thekson se pavarësisht se ekonomia shqiptare ka pasur një rritje pozitive, ajo do të vazhdojë të jetë nën potencialin e mundshëm të zhvillimit të saj. Parashikimi i rritjes ekonomike për vitin 2015 u ul në 2.7 për qind nga 3 për qind që ishte parashikuar në fillim të vitit. Kjo për shkak të ndikimit të përmbytjeve në sektorin e bujqësisë dhe pakësimit të prodhimit të naftës në përgjigje të rënies së çmimeve ndërkombëtare.
Ndërkaq kriza ekonomike që ka përfshirë fqinjin jugor të Shqipërisë, Greqinë, pritet që të ketë ndikime të ndjeshme në rritjen e ekonomisë shqiptare dhe ndaj prespektivës së uljes së varfërisë pasi ka sjellë ulje të remitancave nga rreth 700 mijë emigrantë shqiptarë që jetojnë atje, të eksporteve dhe të investimeve.
Edhe njëherë Banka Botërore ka vënë theksin në nevojën e krijimit të vendeve të punës nga njëra anë dhe mbrojtjen e shtresave të varfëra të shoqërisë nga ana tjetër. Ndër të tjera në raport theksohet se varfëria do të vijojë të ulet me ritme të ngadalëta. Problem për ekonominë shqiptare, sipas raportit të Bankës Botërore, vijon të mbetet edhe papunësia pavarësisht se ka pasur një rënie të lehtë në pjesën e parë të 2015. Më të prekurit nga papunësia vlerësohet se janë të rinjtë dhe gratë. Ekonomia shqiptare sipas BB pritet të rritet me 3.4 për qind në 2016 dhe me 3.5 për qind në 2017.