KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BB vlerëson ecurinë në reformën energjitike
BB vlerëson ecurinë në reformën energjitike

BB vlerëson ecurinë në reformën energjitike

Banka Botërore e cilësoi shumë të mirë ecurinë e reformës së ndërmarrë në energjitikë. Deklarata i atribuohet drejtoreshës për Europën Juglindore në Bankën Botërore zonjën Ellen Goldshtein gjatë takimit në Tiranë me Ministrin e Energjetikës Damian Gjiknurin. Sipas njftimit nga zyra e shtypit e kësaj ministrie, zonja Goldshtein theksoi se zgjidhja e shpejtë e konfliktit me CEZ ishte “veprimi i duhur për ti hapur rrugën investimeve dhe reformimit të sektorit”. Ajo e ka cilësuar si shumë të mirë ecurinë e reformës së ndërmarrë dhe tha se efektet e saj do të jenë edhe më të prekshme me përmirësimin e shërbimit ndaj konsumatorëve.
Për ministrin Gjiknuri, reforma në energjitikë është duke i dhënë efektet e veta pozitive. Por ndërkohë ai ka vlerësuar edhe mbështetjen e qytetarëve të cilët i janë bashkuar ligjshmërisë në konsumin e energjisë elektrike. “Nga një sektor gërryes i financave dhe Buxhetit të Shtetit, tanimë sektori energjitik ka filluar të kontribuojë në ekonominë e vendit” tha zoti Gjiknuri. Duke folur me shifra ministri tha se humbjet në rrjet janë ulur në nivelin 31 për qind, niveli i arkëtimit të faturave korente është rritur, ashtu sikurse janë arkëtuar gjatë këtyre dy viteve edhe rreth 200 milion euro nga borxhet e prapambetura.
Ministri Gjiknuri bëri të ditur se qeveria po punon për modelin e ri të tregut, liberalizimin e sektorit të energjisë dhe projektin për krijimin e bursës së energjisë në Shqipëri.