KRYEFAQJA » LAJME » BE dhe Kosova nënshkruajnë nesër MSA
BE dhe Kosova nënshkruajnë nesër MSA

BE dhe Kosova nënshkruajnë nesër MSA

27 tetori i këtij viti, pritet të jetë një tjetër datë e shënuar dhe historike për Kosovën. Në Strasburg pritet të nënshkruhet   Marrëveshjen për Stabilizim-Asociimin midis saj dhe Bashkimit Evropian. Firmat përkatëse do të hidhen nga Përfaqësuesja e Lartë për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Federica Mogerini dhe Komisioneri për Politikat Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociatat e Zgjerimit, Johanes Hahn, ndërsa nga Kosova, kryeministri Isa Mustafa dhe ministri i Integrimit Evropian, Bekim Çollaku.
Qeveria kosovare vlerëson se MSA është një prej marrëveshjeve tepër të rëndësishme që po arrihet në këtë periudhë dhe një sukses i madh i Republikës së Kosovës.
“Me MSA, ne po arrijmë që të krijojmë marrëdhënie kontraktuale me Bashkimin Evropian për herë të parë. Me marrëveshje po përkufizohet edhe territori i Republikës së Kosovës në të cilin zbatohen rregullat e Bashkimit Evropian. Dhe, ne zhvillojmë negociata me Bashkimin Evropian në procesin e anëtarësimit tonë në BE, që në një formë e përkufizon edhe njohjen, por edhe rolin që Bashkimi Evropian do të ketë ndaj Kosovës në veçanti”, është shprehur kryeministri Mustafa.
Ministri i Intergimit, Çollaku ka theksuar edhe përfitimet ekonomike nga MSA, që nënkuptojnë liberalizimin e tregut me Bashkimin Evropian në tërësi, përpos disa produkteve specifike të përfshira në marrëveshje, rritjen e investimeve direkte në Kosovë.
Negociatat për marrëveshjen e Stabilizim-Asociimit, kanë nisur para dy vitesh, në 28 tetor të vitit 2013.