KRYEFAQJA » LAJME » BE dhe SHBA mirëpresin propozimin e Metës
Takimi në orën 16, por pjesmarrja e ndërkombëtarëve në dyshim

BE dhe SHBA mirëpresin propozimin e Metës

Propozimi i kreut të parlamentit shqiptar Ilir Meta, për të zhvilluar një takim mes shumicës, opozitës dhe ndërkombëtarëve për gjetjen e kompromisit të domosdoshëm për miratimin e Reformës në Drejtësi, ka gjetur menjëherë miratimin dhe gatishmërinë e këtyre të fundit.
Kjo bëhet e ditur në dy deklarata të veçanta të ambasadores së BE Romana Vllahutin dhe ambasadorit amerikan Donald Lu të bëra të njohura pasditen e së dielës.
Por të dy diplomatët janë kujdesur të venë edhe piketat e kësaj tryeze.
Ambasadori Lu ka informuar Kryetarin e Parlamentit zotin Meta se e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, duke nënkuptuar se këto diskutime do bazohen mbi propozimin hibrid. Zoti Lu kujton se me rastin e vizitës së fundit të zonjës Njuland, si qeveria ashtu edhe opozita u angazhuan përpara saj, se negociatat e ardhshme do të bazoheshin vetëm mbi propozimin hibrid, i cili vë në zbatim plotësisht paragrafin 88 të Komisionit të Venecias dhe ka mbështetjen e OPDAT dhe EURALIUS.
Nga ana e saj Ambasadorja e Bashkimit Evropian zonja Vllahutin e ka informuar zoti Meta se BE e pranon ftesën e tij për t’iu bashkuar diskutimeve ditën e hënë, ndërsa thekson se “është e gatshme të ofrojë pikëpamjet e BE-së rreth propozimit dhe përputhshmërisë së plotë të rolit të parashikuar për Operacionin Ndërkombëtar të Monitorimit me Opinionin e Komisionit të Venecias, si edhe me qëndrimin afatgjatë të BE-së dhe SHBA-ve se i gjithë pushteti vendimarrës duhet të qëndrojë me autoritetet shqiptare”.