KRYEFAQJA » LAJME » BE dhe Shqipëria marrëveshje sigurie
BE shqiperia marreveshje sigurie

BE dhe Shqipëria marrëveshje sigurie

Me qëllim forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit midis Shqipërisë dhe BE-së në fushën e sigurisë, Ministri Bushati dhe Përfaqësuesja e Lartë Mogherini do të nënshkruajnë  të enjten në Tiranë “Marrëveshjen midis Bashkimit Evropian dhe Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë mbi procedurat e sigurisë për shkëmbimin dhe mbrojtjen e informacionit të klasifikuar”.

Marrëveshja përcakton rregullat e përgjithshme të sigurisë që do të zbatohen për çdo shkëmbim informacioni të klasifikuar ndërmjet shtetit shqiptar dhe Bashkimit Europian. Gjithashtu, ajo ka për objekt të mbrojë dhe të sigurojë palët që informacioni i klasifikuar, i shkëmbyer në kuadër të bashkëpunimeve në fusha të ndryshme, do të mbrohet, në përputhje me standardet e sigurisë, të përcaktuara në këtë marrëveshje.  Nënshkrimi i kësaj marrëveshjeje i hap rrugën dhe krijon premisat që ministritë dhe institucionet shtetërore të Shqipërisë, të lidhin marrëveshje në të cilat përfshihet shkëmbimi i informacionit të klasifikuar me Bashkimin Europian të niveleve më të larta të klasifikimit të sigurisë.