KRYEFAQJA » LAJME » BE, jo me një zë për negociatat me Shqipërinë
BE, jo me një zë për negociatat me Shqipërinë

BE, jo me një zë për negociatat me Shqipërinë

Shqipëria nuk pritet të jetë pikë diskutimi në tryezën e Këshillit të Ministrave Europian për çështje të Përgjithshme. Burime diplomatike rrëfejnë se kjo pikë është mbyllur në nivelin e përfaqësuesve të 27 vendeve anëtare të Unionit dhe përballë Italisë, që lavdëroi “punën e dallueshme të autoriteteve shqipëtare për reformat kyçe”, qëndrimi i motorrit franko-gjerman ishte “mos të bëjmë premtime që s’i mbajmë dot!”. Të njëjtat burime thonë se pikërisht këto dy vende përmendën dhe “numrin e lartë të kërkesave të pabaza për azil nga qytetarët shqipëtarë në BE” dhe “vazhdimin rigoroz të zbatimit të kritereve të udhërrëfyesit të liberalizimit të vizave”.
Qëndrimi i Francës dhe Gjermanisë gjeti mbështetjen e vendeve të Beneluksit. Belgjika u shpreh neutrale e kërkoi që “të mos paragjykohet raporti i ardhshëm” dhe po kështu, Luksemburgu mësohet të jetë shprehur për “ri-vlerësim nga Komisioni Europian dhe Këshilli i BEsë”.
Në anën tjetër, burimet diplomatike pranë këtij takimi tregojnë se Irlanda ishte “dakord me rekomandimin e Komisionit Europian”, edhe Hungaria u shpreh “për nisjen e negociatave, nëse vendi bënte progres të mjaftueshëm me zbatimin e reformës në drejtësi”, ndërsa për Suedinë, kjo çështje duhet diskutuar “pas zgjedhjeve të përgjithshme, që do të mbahen në mes të vitit të ardhshëm”.
Këto pozicione reflektohen në draft-konkluzionet e ritrajtuara të presidencës sllovake të BEsë, siç publikoi të premten RTSH, të cilat marrin efekt në përfundim të mbledhjes së ministrave europian, bisedimet e të cilëve pritet të përqëndrohen tek Turqia, përsa i takon vendeve të paketës së zgjerimit. (Përgatiti Arta Tozaj)