KRYEFAQJA » LAJME » BE – marrëveshje për të menaxhuar krizën e emigrantëve në Ballkan
BE - marrëveshje për të menaxhuar krizën e emigrantëve në Ballkan

BE – marrëveshje për të menaxhuar krizën e emigrantëve në Ballkan

Bashkimi Evropian ka arritur një marrëveshje për të menaxhuar krizën e emigrantëve, të cilët përdorin rrugët ballkanike për mbërritjen në Evropën Perëndimore. Lajmi është dhënë nga presidenti i Komisionit Evropian, Zhan Klod Junker. “Tani mbetet të vemë në zbatim marrëveshjen që arritëm, që ka të bëjë me ndihmën materiale për migrantët, menaxhimin e fluksit të tyre dhe kontrollin e kufijve”, deklaroi zoti Junker. ”Emigrantët duhet të jenë të regjistruar pasi, për të paregjistruarit nuk do të ketë asnjë të drejtë”, theksoi ai. Sipas presidentit të Komisionit Evropian ”Do të krijohen 100 000 poste pranimi për refugjatët, 30 000 në Greqi deri në fund të vitit, dhe 20 000 të tjera në sajë të ndihmës së UNHCR-së, në ndërkohë që 50 000 postet e mbetura do të krijohen përgjatë rrugës ballkanike, sërish me ndihmën e UNHCR-së”. Kurse kancelarja gjermane Anxhela Merkel u shpreh: “Duam të lehtësojmë së pari vuajtjet e mijëra refugjateve. Ajo që po ndodh nuk përkon me konventën për refugjatet që keni nënshkruar të gjithë. Prandja duhen ndërmarrë masa afatshkutra dhe afatgjata. Gjendja do të menaxhohet më mirë dhe vendet e Ballkanit do t’a ndajnë barrën me Bashkimin Evropian”, tha kancelarja. Komisioneri i BE-së për refugjatët Antonio Guterres, tha se është thelbësore që Evropa të mbetet kontinenti i azilit. “Evropa do të vazhdojë t’a garantojë mbrojtjen për refugjatët edhe në kohë krizash si kjo, por duhet të jetë projekt i përbashkët i të gjitha vendeve” tha ai.
Nuk është e qartë nëse Shqipëria bën pjesë në këto plane. Autoritetet shqiptare kanë deklaruar se po marrin masa në rast se fluksi i emigrantëve prek edhe Shqipërinë. I pranishëm në këtë minisamit kryeministri shqiptar Edi Rama tha se “Besohet se me ardhjen e dimrit, ekziston mundësia për një rrugë të re të devijuar drejt Shqipërisë. Por gjithsesi, arsyeja se pse ne jemi këtu ka të bëjë me domosdoshmërinë për tu koordinuar në nivel rajonal dhe europian. Padyshim, edhe Shqipëria ka rolin e saj në këtë moment kaq delikat dhe kaq të rëndësishëm për atë që jemi dhe për atë që do të jemi nesër të gjithë sëbashku, si europianë” tha kryeministri Rama.
Në terren kanë filluar përgatitjet. Autoritetet duket se kanë zgjedhur zonën e Gjirokastrës për ndërtuar kampet e strehimit, pasi kjo është zona nga mund të hyjnë refugjatët që vijnë nga Greqia. Nuk ka njoftime zyrtare se sa është kapaciteti i këtyre qendrave, por burime të ndryshme informacioni bëjnë fjalë për rreth 10 mijë vende.