KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BE në ndihmë të bujqësisë shqiptare
BE në ndihmë të bujqësisë shqiptare

BE në ndihmë të bujqësisë shqiptare

Bashkimi Europian ka përcaktuar dhënien e 71 milionë euro financim brenda paketës IPA për zhvillimin rural për Shqipërinë për vitet 2016 deri 2020. Duke përgatitur këtë process, ambasadorja e BE në Tiranë, por dhe autoritete të ambasadës gjermane dhe institucionit financiar GIZ, janë kujdesur të diskutojnë për përcaktim të saktë të procedurave të përfitimit dhe sidomos kontrollit të abuzimeve e korrupsionit të mundshëm. Sipas tyre duhet të ndërmerret çdo përpjekje që të bëjë të mundur që fermerët dhe agrobizneset shqiptare të hyjnë në këtë proces. Sfida është e madhe pasi paketa e përgjithshme për bujqësinë është mbi 150 milion euro. Në këtë frymë ministri i bujqësisë Panariti tërhoqi vemendjen për procedura më miqësore dhe në ndihmë të fermerëve.
Ambasadorja e BE Vlahutin, nga ana e saj, duke u shprehur e hapur për komunikim të propozimeve, i mbeti megjithatë theksit të kontrollit rigoroz të fondeve. “Buxheti i politikës së përbashkët bujqësore europiane përbën rreth 38 për qind të buxhetit të përgjithshëm të BE-së, në shifra me rreth 58 miliardë euro çdo vit, kështu që ju mund të imagjinoni se sa e rëndësishme është që të ketë procedura të duhura për kontrollin e këtij investimi” tha zonja Vlahutin. Edhe më paralajmëues ishte fakti që Komisioni Evropian i tërheq fondet nëse shtetet anëtare nuk arrijnë të aplikojnë dhe kontrollojnë siç duhet shpenzimet e tyre. Një nga përmbushjet është dhe akreditimi i agjensisë së shpërndarjes, që siç u bë e ditur, ka filluar dhe shpresohet të arrihet në kohë për procedurat e kërkuara nga BE.