KRYEFAQJA » LAJME » Bota » BE, rriten përmasat e krizës së emigrantëve
BE, rriten përmasat e krizës së emigrantëve

BE, rriten përmasat e krizës së emigrantëve

Kriza e emigranteve të paligjshëm që kanë mësyrë Evropen e Bashkuar është kthyer në një problem me disa pika të nxehta. Nga ana gjeografike, porta hyrëse të emigrantëve të paligjshëm në BE kanë shërbyer këtë vit kryesisht Italia për emigrantët e Afrikës veriore, Greqia për ata që vijnë nga Afganistani, Siria e vende të tjera me konflikte nga lindja e mesme si dhe ballkani, njëherësh vend tranzit dhe origjinë e emigrantëve. Duket se dy janë shtetet e parapëlqyera si destinacion pëfundimtar i mijëra emigranteve: Gjermania dhe Britania e Madhe, dy shtete me traditë pritjen e emigranteve, shërbime sociale të konsoliduara dhe treg pune që nuk e ka njohur krizën e fqinjëve të tjerë. Në detin mesdhe vala e refugjatëve nga Afrika veriore merr gjatë verës përmasa të jashtëzakonshme. Anijet italiane, spanjolle, madje edhe britanike e irlandeze atrullojnë jo vetëm për të ndalur qindra varka e gomone që nisen çdo javë nga brigjet e Libise por edhe per të mbledhur viktimat në det. Vetëm këtë vit, në Itali kanë mbërritur 150 mijë refugjatë. Organizata Botërore e Emigracionit thotë se këtë vit kanë humbur jetën mbi 2 mijë emigrantë në përpjekje për të kaluar detin Mesdhe drejt brigjeve italiane. Greqia ndërkaq po zëvëndëson Italinë si vendi kryesor tranzit për emigrantët që synojnë të futen në Evropën Perëndimore. Mbi 100 mijë vetë janë futur në Greqi vetëm gjatë 6 muajve të parë të 2015. Pjesa më e madhe e tyre duan të kalojnë në Evropën Perëndimore, pasi Greqia e zhytur në krizë nuk paraqet alternativë tërheqëse. Ditë e natë, në ishujt e Greqisë arrijne varka me emigrante. Më shumë se gjysma janë sirianë që i largohen luftës. Zyrtarët lokale greke e përshkruajnë gjendjen si katastrofike. Në njërën dorë kemi një bombë – borxhin e qeverisë greke, në tjetrën një bombë tjetër – emigrantët. Nuk dimë cila do të plasë e para , ankohen krytarët e bashkive ku ndodhen qëndrat e pritjes në Greqi”. Një prej rrugëve të emigrimit është ajo Greqi-Maqedoni-Serbi me synim Hungarinë, si vend i BE-së dhe me destinacion përfundimtar Evropën veriore. Këtë rrugë ndjekin më së shumti emigrantët nga Siria apo Iraku por së fundi edhe qytetarë nga vendet e ballkanit që synojnë mbërritjen në Gjermani. Rruga e re e cila u popullua së shumti muajt e fundit, detyroi Hungarinë të miratonte ndërtimin e një muri në kufirin e saj jugor me Serbinë, një lëvizje kjo që edhe pse u kritkua nga shumë shtete e organizata të të drejtave të njeriut, vazhdon te perparojë në terren. Muri 4 metra i lartë dhe 175 km i gjatë synon ta ndërpresë këtë rrugë emigrimi dhe do të jetë gati para 31 gushtit. Pasojat për mbajtjen e emigranteve do të bien mbi vendet e Ballkanit në një kohë që vlerësohet së nëpër këtë zonë kalojnë rreth 1000 emigrantë në ditë. Dy pikat më të nxehta të grumbullimit të emigrantëve janë ndërkohë Gjermania dhe Britania. Gjermania, është ëndrra evropiane e shumë refugjatëve. Vetëm këtë vit kanë shkuar në Gjermani 200.000 azilkërkues. 97,000 prej tyre nga Ballkani dhe nga këta 78.000 nga Kosova, Shqipëria dhe Mali i Zi. Kërkesat e tyre kanë pak shanse për t’u pranuar në Gjermani. Niveli i refuzimit të kërkesave të refugjatëve nga Ballkani është sipas Entit Federal për Migracionin dhe Refugjatët 99 përqind. Sa për krahasim, niveli i refuzimit të azilit për emigrantët sirianë është 15%. Ministria e brëndshme gjermane kishte parashikuar që për gjithë këtë vit të hynin në Gjermani 400 mijë emigrantë, por shifra duket se do të kapërcehet po të vazhdojnë këto ritme. Pika tjetër e nxehtë ndodhet mes Britanisë dhe Francës, në tunelin që lidh dy vendet ne kanalin e La Manshit. Këto javë kanë qënë me mijëra emigrantët e grumbulluar në qytetin francez Kale, në përpjekje për të kaluar ilegalisht tunelin. Policia franceze kërkoi ndihmën e ushtrisë për të ndaluar emigrantet të cilët shkaktuan crregullime në qarkullimin e trenave e kamionëve. Përpjekjet nuk kalojnë pa incidente. Të paktën 10 imigrantë kanë vdekur në përpjekje për të kaluar tunelin. Zyrtarët britanikë dhe francezë po u bëjnë thirrje vendeve të tjera të Bashkimit Evropian dhe komunitetit ndërkombëtar që të ndihmojnë për të mos lejuar ardhjen e refugjatëve nga Afrika në Evropë. Zyrtaret thonë se nuk duhet të trajtohet duke lehtësuar politikat e imigracionit por duke “ulur numrin e emigrantëve që kalojne nga Afrika në Evropë”.