KRYEFAQJA » LAJME » BE Shqipërisë: Nisni Reformën në Drejtësi
rama-mogherini-parlamenti-europian-vettingu-bruksel

BE Shqipërisë: Nisni Reformën në Drejtësi

BE i ka kërkuar Shqipërisë nisjen e Reformës në Drejtësi si një çështje kyç që vendi të eci në rrugën e integrimit. “Prioritet është fillimi i reformës në drejtësi. Partitë politike kanë përgjegjësi. Të nisë procedura e vettingut. Ne jemi të gatshëm të mbështesim procesin e zbatimit” ishin në thelb fjalët e zëvendëspresidentes së BE-së Federica Mogherini gjatë një konference të përbashkët për shyp me kryeministrin Edi Rama në Bruksel në përfundimit të takimit të tetë të Këshillit të Stabilizim-Asociimit mes BE-së dhe Shqipërisë. “Palët politike kanë përgjegjësi për të vënë në zbatim reformën. Ne do mbështesim Shqipërinë në këtë proces” tha zonja Mogherini.
Për kryeministrin shqiptar implementimi i vazhdueshëm i reformave kyçe do të forcojë rrugën e Shqipërisë drejt integrimit në BE. “Miratimi i ligjit të vetting-ut është një hap i rëndësishëm për implementimin e reformës në drejtësi” tha zoti Rama, ndërsa vlerësoi si me rëndësi që BE të japë një rekomandim pozitiv për hapjen e negociatave. “Shqipëria do të jetë në lartësinë e duhur” premtoi kryeministri shqiptar.
Komisioneri për zgjerimin Johanes Hahn nga ana e tij tha se reforma në drejtësi ishte hapi i parë drejt integrimit, ndërsa tani palët politike në Shqipëri duhet të përqendrohen tek implementimi i saj. Për zotin Hahn “qëllimi i reformës nuk është të afroheni më shumë me BE-në, por për t’i shërbyer sa më mirë qytetarëve shqiptarë”. “Dhe kur BE kontribuon në këtë gjë nuk e bën vetëm për të afruar sa më shumë Shqipërinë me Unionin, por e bën në interes të shqiptarëve” shtoi zoti Hahn. Ai tha se “Do të ketë një përgjigje për Progres Raportin për Shqipërinë dhe kjo do të bëhet në një moment tjetër ku do të diskutohet në institucionet europaine. Por jemi të angazhuar për hapa pozitive në lidhje me çeljen e negociatave” tha komisioneri.
Megjithatë për autoritetet e Brukselit dhe Tiranës, Shqipëria duhet të vazhdojë luftën kundër drogës, krimit të organizuar dhe korrupsionit.