KRYEFAQJA » LAJME » BE thellësisht e shqetësuar me situatën në Maqedoni
orav

BE thellësisht e shqetësuar me situatën në Maqedoni

Bashkimi Evropian është i shqetësuar me situatën në Maqedoni. Kështu i ka porositur politikanët në Maqedoni ambasadori i BE-së në Shkup, Aivo Orav, duke shprehur qëndrimin e të gjitha vendeve anëtare të BE-së.“Ka kaluar më shumë se një muaj qëkur është thirrur përsëri Kuvendi i Maqedonisë dhe për fat të keq nuk kemi parë progres sa i përket zgjidhjes së ngërçit politik në vend”, ka thënë ai. “Bashkimi Evropian është seriozisht i shqetësuar për situatën në Maqedoni. Ne jemi të bashkuar në nevojën për ta mbajtur lidershipin në dialog të hapur. Partitë duhet të vazhdojnë në implementimin e Marrëveshjes së Përzhinos, përfshirë krijimin e kushteve për zgjedhje të besueshme”, ka theksuar ambasadori i Bashkimit Evropian në Shkup, Aivo Orav. Diplomati evropian gjtihashtu ka theksuar se faktori ndërkombëtar mbetet i shqetësuar për shkak të sfidave me të cilat në vazhdimësi përballet Prokuroria Speciale Publike e Maqedonisë. Ambasadori Orav u bëri thirrje të gjithë faktorëve politik, partive politike, që të ndalojnë me pengesat dhe t’i japin mbështetje të fuqishme Prokurorisë Speciale gjatë realizimit të detyrës së saj të përcaktuar me ligj. Ditë më parë partia shqiptare në pushtet, Bashkimi Demokratik për Integrim, u shpreh se do të mbështesë iniciativën për formimin e një departamenti të veçantë, në kuadër të Gjykatës Penale në Shkup, i cili do të shqyrtojë enkas lëndët të cilat i heton Prokuroria Speciale Publike. Njohësit e çështjeve politike qëndrimin e BDI-së e shohin si paralajmërim se themelimi i një departamenti të veçantë në Gjykatën Penale për lëndët e Prokurorisë Speciale, si dhe vazhdimi i mandatit të këtij institucioni, do të shtrohen së shpejti në tryezën e bisedimeve mes përfaqësuesve të katër partive politike, nëshkruese të marrëveshjes së Përzhinos.