KRYEFAQJA » LAJME » Bota » BE vendos kontrollin e kufijve
BE vendos kontrollin e kufijve

BE vendos kontrollin e kufijve

Shtetet anëtare të BE-së vendosën të premten forcimin imediat të kontrolleve në kufijtë e jashtëm të Bashkimit Evropian duke përfshirë si pjesë e këtyre masave shtetasit evropianë, njoftojnë mediat duke ju referuar një takimi të jashtëzakonshëm në Bruksel. “Ata kanë kërkuar gjithsesi një rishikim të shpejtë të rregullave të hapësirës Schengen për të mundësuar lejimin e kontrolleve sistematike mbi shtetasit evropianë, ndërsa kontrollet e thelluara sistematike tashmë janë rezervuar kryesisht ndaj vendeve të treta”, shtuan këto burime.
Një javë pas sulmeve terroriste në Paris, ministrat evropianë të Punëve të Brendshme dhe të Drejtësisë u mblodhën në Bruksel me kërkesë të Francës, për të koordinuar një përgjigje evropiane përballë kërcënimit terrorist. “Shtetet anëtare janë angazhuar për të zbatuar në mënyrë të menjëhershme kontrollet e nevojshme sistematike dhe të koordinuara në kufijtë e jashtëm duke përfshirë individë që gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë” nënvizojnë përfundimet ende jozyrtare të miratuara të premten në mesditë, por të cilat duket se janë objekt i një konsensusi.