KRYEFAQJA » LAJME » Kulturë » Beograd , Vuçiç pret Mulën
Beograd , Vuçiç pret Mulën

Beograd , Vuçiç pret Mulën

Që artistët shqiptarë janë ambasadorët më të mirë të kulturës shqiptare kjo nuk është gjë e re, por teksa sheh kryeministrin serb Aleksandër Vuçiç në fotot e takimit me sopranon shqiptare Inva Mula, bindesh për këtë. I relaksuar dhe i buzëqeshur dhe pa barrierat që zakonisht politika vendos, kryeministri serb është i pari zyrtar i lartë serb që pret një artiste shqiptare të niveleve botërore. Fotot nga takimi të nisura ekskluzivisht për TVSH reflektojnë notat e ngrohta të bisedës në të cilat sipas sopranos Inva Mula është zhvilluar takimi.
Media serbe po i bën jehonë interpretimit të sopranos shqiptare Inva Mula në teatrin e operas së Beogradit. Vetë këngëtarja ka konfirmuar takimin me kryeministrin serb duke evidentuar faktin se arti zbut konfliktet. Ndonëse siç është shprehur në një intervistë për TVSH para se të nisej për Beograd nuk mund ti shpëtonte ky interpretim edhe kontekstit historik, kjo pjesëmarrje e saj në operan “La Boheme” synon të ndërtojë ura mes shqiptarëve dhe serbëve jo vetëm në muzikë.
Opera “La Boheme” do të ngjitet në teatrin e Beogradit të mërkurën në mbrëmje, dhe pas 71 vitesh nga interpretimi i një soprano shqiptare si Tefta Tashko Koço po në rolin e Mimisë, prezantimi i Invës është çelja e një epoke të re. Ndërkohë që ky është fruti i dytë i marrëveshjes mes Teatrit të Operas dhe Baletit në Tiranë dhe Teatrit të Operas së Beogradit pas koncertit që pati në Tiranë dirigjenti Dejan Seviç si edhe turit në Serbi të trupës së baletit shqiptar me baletin e të famshmit Angjelin Preljocaj.