KRYEFAQJA » LAJME » Beogradi: Kushtetuta nuk do të ndryshojë për Kosovën
kosova

Beogradi: Kushtetuta nuk do të ndryshojë për Kosovën

As që mund të bëhet fjalë për ndryshimin e Preambulës së Kushtetutës së Serbisë, në të cilën theksohet se Kosova është pjesë e Serbisë. Kështu kanë reaguar autoritetet e Serbisë, vetëm një ditë pas deklaratave të ministres për Dialog e Qeverisë së Kosovës, Edita Tahiri, e cila ka theksuar se nga Serbia do të kërkohet që të heqë dorë nga Kosova në Kushtetutën e saj. “Një çështje e rëndësishme është që duhet të ketë edhe marrëveshje e cila do të jetë ligjërisht e obligueshme në fazat vijuese dhe ne si për fillim kemi kërkuar që tani është koha Serbia ta nxjerrë nga Kushtetuta e saj, pra nga preambula Kosovën. Sepse nuk mund të ndodhë fqinjësia e mirë më një kushtetutë kontraverse të Serbisë”, ka thënë ministrja Tahiri. Por, Marko Gjuriç, shef i Zyrës për Kosovën i Qeverisë teknike të Serbisë, në mënyrë kategorike ka hedhur poshtë mundësinë që Serbia ta heqë Kosovën nga kushtetuta e saj. “Komenti im për këtë, është që Prishtina do të duhej që në Kushtetutën e krahinës (siç e quan ai Kosovën), ta fusë sa më parë Serbinë, sepse kjo është mënyra e vetme që të prezantohet në bashkësinë ndërkombëtare. Siç e dimë, ajo nuk është as anëtare e Kombeve të Bashkuara e as ndonjë trupi ndërkombëtar, përveç atyre në të cilat mbase janë ‘trafikuar’ dhe në të cilët janë anëtare territore të caktuara, që nuk janë të njohura si shtete sovrane. Mendoj se bëhet fjalë për një shkëndijë të politikës joserioze dhe për diçka që nuk i kontribuon normalizimit të marrëdhënieve”, ka thënë Gjuriç për televizionin publik të Serbisë. Por, këto qëndrime të zyrtarëve të të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë, kanë aktualizuar sërish dilemën nëse të dyja palët mund të bisedojnë dhe të bien dakord për marrëveshje të zbatueshme. Raundi i fundit i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, me lehtësimin nga ana e Bashkimit Evropian, është mbajtur në janar të këtij viti. Që atëherë, nuk ka pasur bisedime ndërmjet palëve. Për një gjë të tillë, pa dyshim që ka ndikuar periudha e krizës politike në Kosovë, e cila u karakterizua me protesta të opozitës, por edhe periudha prej 4 muajve e qeverisë teknike në Serbi, për shkak se kryeministri Aleksandar Vuçiç, pas zgjedhjeve, ende nuk ka arritur ta formojë qeverinë e re. Në anën tjetër, efekti i dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është larg pritjeve që kanë pasur të dyja palët, por edhe bashkësia ndërkombëtare. Pavarësisht marrëveshjeve të arritura, zbatimi i tyre ka ngecur dhe ende pritet formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe, si dhe zbatimi i marrëveshjeve për telekomunikimin, energjetikën dhe lëvizjen e lirë. Bashkimi Evropian, megjithatë, është këmbëngulës në qëndrimin e tij se të gjitha marrëveshjet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë duhet të zbatohen. Ndryshimet eventuale të Kushtetutës së Serbisë, me të cilat do të korrigjohej Preambula që Kosovën e parasheh pjesë të Serbisë, ka qenë disa herë temë aktuale. Por, megjithatë, nuk është bërë asnjë hap më shumë se sa spekulimet e zakonshme, se a do të ndodhë dhe si do të bëhej korrigjimi i tillë.