KRYEFAQJA » LAJME » Beogradi kushtëzon marrëveshjet e arritura me Prishtinën

Beogradi kushtëzon marrëveshjet e arritura me Prishtinën

Autoritetet në Beograd kanë këmbëngulur që Asociacioni i komunave me shumicë serbe në Kosovë të formohet në përputhje me Marrëveshjen e Brukselit dhe jo duke respektuar Kushtetutën e Kosovës. Marrëveshja e arritur më 25 gusht të vitit te kaluar, në kuadër të dialogut për normalizim të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë, parasheh që Asociacioni të ketë një shkallë autonomie në fushën e arsimit, shëndetësisë dhe planifikimit urban e rural. Kryetari i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, Millovan Drecun, ka thënë se Asociacioni, siç e parasheh Prishtina, nuk i kontribuon bashkësisë serbe në Kosovë. Por, autoritetet në Prishtinë thonë se ky mekanizëm do të krijohet në përputhje me vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës. Në dhjetor të vitit të kaluar, kjo Gjykatë ka konstatuar se një pjesë e Marrëveshjes së 25 gushtit për Asociacionin nuk është në pajtim me Kushtetutën e Kosovës dhe ka kërkuar që bazë për themelimin e tij të merret Marrëveshja e Parë për Normalizimin e Marrëdhënieve Kosovë-Serbi, e arritur në prill të vitit 2013. Vendimi i Gjykatës ka pasuar kërkesën e presidents së atëhershme të Kosovës, Atifete Jahjaga, për të bërë vlerësimin e përputhshmërisë së Asociacionit me frymën e Kushtetutës së Kosovës. Zyrtarë të Bashkimit Evropian këmbëngulin në qëndrimin se zbatimi i marrëveshjeve të arritura midis Kosovës dhe Serbisë është kusht për të dyja vendet që të avancojnë në rrugën e integrimit evropian.