KRYEFAQJA » LAJME » Beogradi notë proteste Sllovenisë pas thirrjeve për njohjen e Kosovës

Beogradi notë proteste Sllovenisë pas thirrjeve për njohjen e Kosovës

Ministria e Jashtme e Serbisë i ka dorëzuar një notë proteste ambasadorit slloven, Vladimir Gaspariç, pas thirrjes së fundi të presidentit slloven, Borut Pahor për njohjen e pavarësisë së Kosovës. Në mbështetje të anëtarësisë së Kosovës në organizatat ndërkombëtare, Pahor e ka bërë deklaratën gjatë vizitës së Hashim Thaçit në Lubjanë më 6-7 qershor. ”Nota e protestës i është dorëzuar Gaspariçit nga zëvendësministri i Jashtëm serb, Goran Aleksiç”, tha ministria në një njoftim shtypi. ”Kjo nuk është hera e parë që zyrtarë sllovenë bëjnë thirrje për njohjen e pavarësisë së Kosovës duke rrezikuar interesat prioritare të Serbisë”, thuhet në njoftim. ”Deklaratat nga zyrtarët sllovenë lidhur me pavarësinë e Kosovës, para së gjithash minojnë përpjekjet në të cilat Serbia dhe Bashkimi Evropian kanë investuar në dialogun mes Beogradit dhe Prishtinës”, thuhet gjithashtu në njoftim. ”Sllovenisë i kërkohet të përmbahet nga deklarata të tilla ose të ngjashme, të cilat janë të dëmshme për marrëdhëniet dypalëshe dhe besimin midis dy shteteve”, theksoi kjo ministri.