KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » Beqiri: Mbi 90 përqind e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A

Beqiri: Mbi 90 përqind e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A

Agjensia Kombëtare e Mjedisit publikoi të dhënat e rezultateve të fazës së parë të monitorimit të cilësisë së ujrave bregdetare për vitin 2016. Drejtori i Agjensisë Kombëtare të Mjedisit, Julian Beqiri tha se nga kampionet e marra në dy javët e fundit të muajit Maj 2016, rezulton se këtë vit plazhet shqiptare janë të një cilësie shumë të mirë. “Mbi 90 përqind e plazheve në Shqipëri janë të kategorisë A, pra cilësi shumë e mirë këtë vit. Nga 99 pika monitorimi, 90 prej tyre me cilësi shumë të mirë. Gjithashtu plazhet shqiptare vazhdojnë të kenë të njëjtin trend rritjeje të cilësisë krahasuar me një vit më parë” tha zoti Beqiri për mediat.
Duke u ndalur tek monitorimi i këtij viti, kreu i AKM-së theksoi se është rritur ndjeshëm cilësia e plazhit në Durrës. “Kemi përmirësim shumë të mirë të ujit në 20 pika në plazhin e Durrësit, kjo falë vënies së funksion të impiantit të ujërave të zeza. I bëj thirrje pushtetit vendor që të marrë menjëherë masa në përmirësimin e infrastrukturës me qëllim përmirësimin e cilësisë së këtyre plazheve” tha më tej zoti Beqiri.
Monitorimi bëhët për herë të parë për vitin 2016 dhe është shtrirë në 99 pika nga 78 pika në vitin 2015 duke rritur në këtë mënyrë kontrollin përgjatë gjithë bregdetit shqiptar.Në listën e plazheve të monituara për herë të parë janë shtuar edhe plazhet e Divjakës, Tales dhe Spillesë.