KRYEFAQJA » LAJME » Berati: Qyteti i dritareve të hapura dhe gojëve të kyçura

Berati: Qyteti i dritareve të hapura dhe gojëve të kyçura

Osumi është një prej lumenjve kryesorë në Shqipëri, i cili nga rrjedha e tij në afërsi të Vithkuqit, pasi përshkon mbi 100 kilometër udhë, lag edhe zemrën e qytetit të Beratit. Beratit, qytetit të dritareve të hapura dhe gojëve të kyçura.

Njerëzit janë shumë të lidhur me këtë lumë sepse, nga vegjëlia e deri në pleqëri, kanë jetuar së bashku. Edhe pse lumi tashmë duket se është plakur, rrudhosur.

Ujërat e tij nuk janë më me freskinë dhe pastërtinë e dikurshme, lumi tashmë përdoret si një kanal i madh ku derdhen ujërat e zeza të lagjeve të Beratit, nga Uznova e deri në lagjet teposhtë, në Urë – Vajgurore edhe madje deri në det, ku ai bëhet Seman, mbytet me plehra, mbetje kimike, të cilat derdhen prej fabrikave të përpunimit të lëkurëve.

Pra, lumi Osum si të gjithë lumenjtë e tjerë në Shqipëri, është i ndotur në një përmasë që duhet ta shohësh dhe t’i ndjesh aromën e kalbjes së mbetjeve organike dhe një sërë mbetjesh të tjera që kundërmojnë qytetin 2400 vjeçar. Ajo që është më e rrezikshme në këtë situatë të ndotjes së lumenjve, është edhe ndotja e burimeve dhe baseneve nënëtokësore, sepse dihet që lumenjtë janë kapilarët kryesorë që filtrohen dhe ushqejnë tokën me jetë, me ujë, pa të cilin nuk mund të mbijetojmë.

Qytetarët, ndonëse të mësuar me aromat e pakëndëshme që vijnë prej lumit dhe me pamjen e këtij kanali të shkumëzuar prej acideve dhe kripërave toksike që përdoret për regjjen e lëkurave, heshtin. Njerëzit heshtin dhe jashtë kamerave e pranojnë ndotjen e madhe të qytetit. Edhe pse e dinë që kjo gjendje është e papranueshme, ata kanë vite që bashkëjetojnë me këtë heshtje.

Vetëm dritaret e hapura të Magalemit dhe Goricës, janë më të vëmendëshmet në këtë situatë. Poshtë, rrugët janë të mbushura me njerëz, ata kanë mbushur trotuarët dhe lokalet në pedonalen e famshme dhe, me aromat e pakëndëshme, shoqërojnë çajin apo kafen e mëngjesit.

Të gjithë të pushtetshmit premtojnë mbajtjen pastër të lumit gjatë fushatës, por sapo vijnë në pushtet, i harrojnë ato. Dikush na tregon për një drejtues të Kryqit të Kuq zviceran, i cili, para shumë vitesh, sillte ndihma nga Zvicra. Njerëzit që takonte i pyeste vetëm për një gjë: “Pse nuk i pastroni plehrat?” Pushtetarët që takonte i flisnin për plane e objektiva, por ai i vështronte në kokërdhok të syrit, ua priste ligjërimin dhe u thoshte: “Pse nuk i pastroni plehrat?” Qytetarëve që e ftonin për kafe, ua refuzonte atë, dhe i pyeste: “Pse nuk i pastroni plehrat?” Dhe meqë nuk mori asnjë përgjigje për pyetjen e tij, u largua një herë e mirë nga Berati. Këtë e themi sepse edhe ne, në studio, në TV, në gazeta, flasim për evropianizimin, por si mund të evropianizohet një vend që nuk pastron plehrat e veta? Sa për heshtjen e qytetarëve, ajo mund të vijë nga shumë e shumë faktorë, por më i rëndësishëm është mosndëshkimi i asaj që ndodhi në vitin ’97. Nëse një vend nuk ndëshkon fajtorët, as që mund të bëhet fjalë për qytetërim dhe norma demokratike. Kudo mund të mbretërojë heshtja, gjuha e lashtë e disfatës.