KRYEFAQJA » LAJME » Berisha , 10 ditë jashtë parlamentit
Berisha , 10 ditë jashtë parlamentit

Berisha , 10 ditë jashtë parlamentit

Byroja e parlamentit shqiptar ka përjashtuar për 10 ditë nga punimet e seancave plenare, liderin historik të PD Sali Berisha. Vendimi u mor pas një kërkese të 12 deputetëve socialistë, sipas së cilës zoti Berisha kishte shkelur rregulloren parlamentare. Një ditë më parë ish kryeministri i PD në një deklarim me tone të larta emocionale, duke akuzuar qeverinë Rama si “organizatë kriminale”, bëri thirrje publike për armatosje. “Unë kam një kërkesë sot për shqiptarët, u bëj thirrje për sigurinë e tyre të armatosen, të sigurojnë armë për të mbrojtur veten…” tha ndër të tjera zoti Berisha.
Vendimin e byrosë parlamentare nënkryetari i PD Edmond Spaho e konsideroi “Tentativë e mjerueshme e maxhorancës për tu hakmarrë ndaj Berishës”. “Theksova në mbledhje që kërkesa është një tentativë e turpshme për të manipuluar një citim të zt. Berisha, i cili ju kujtoi qytetarëve që jeni të pambrojtur nga kjo qeveri si individë, për shkak se kjo mazhorancë është e lidhur me krimin” tha zoti Spaho.
Por deputeti socialist Taulant Balla tha se “Këto deklarata nuk janë spontane, të pamenduara por janë të menduara mirë nga Sali Berisha i cili nuk e do reformën në drejtësi. Por më vjen keq se nuk e dashka as PD. PD bëhet njësh me Sali Berishën të cilët bashkë me gjyqtarët e prokurorët e korruptuar nuk e duan reformën. Sali Berisha nuk mund të jetë i paprekshëm nga ligji. Prokuroria të nisë hetimet pasi nuk ka ndodhur ndonjëherë që një përfaqësues i lartë demokratik të bëjë një thirrje të tillë” tha zoti Balla.
Pas këtyre ngjarjeve atmosfera politike në Shqipëri ka shënuar padyshim tensione të reja.