KRYEFAQJA » LAJME » Berisha : “Çështja ÇEZ” 800 milionë euro
Berisha : “Çështja ÇEZ” 800 milionë euro

Berisha : “Çështja ÇEZ” 800 milionë euro

Ish-kryeministri shqiptar Sali Berisha i ka dhënë përmasa të reja “Çështjes së ÇEZ”. Duke folur të enjten në parlament zoti Berisha tha se borxhi neto i ÇEZ ishte 800 milionë euro. “Në këtë sallë, dhjetëra herë unë kam denoncuar këtë aferë dhe e denoncoj përsëri. Afera më e tmerrshme korruptive që ka ndodhur ndonjëherë. Kam denoncuar para se të dalë, të dhënat e arbitrazhit të Vjenës” tha zoti Berisha. “ÇEZ iu falën të paktën 800 milionë euro, sepse këtë thotë auditi ndërkombëtar. Borxhi neto monetar ishte 800 milionë euro. Interesi i vendit tim më shtyn të mbroj intersen e qytetarëve. Kam parë aferën e tmershme që po rëndon mbi ta” tha ish kreu i qeverisë shqiptare. Sipas tij “Momenti kur ÇEZ falimentoi ishte e domosdoshme heqje e licencës”, ndërsa kujtoi se ish opozita e sulmoi ashpër. Zoti Berisha sulmoi qeverinë Rama se i ka kërkuar qeverisë çeke të vinte veton. “Qeveria çeke nuk mund të vinte veton, nuk mund të bllokonte. Ajo kurrë nuk mund të bëhej motiv vetoje. Kjo ishte një veto e kërkuar e atyre që duan të ndajnë paratë. Kjo ishte një kërkesë e Edi Ramës, sepse duheshin ndarë paratë” tha zoti Berisha.