KRYEFAQJA » LAJME » Berisha: Ka kohë për kompromis nëse do Rama
Berisha Konference

Berisha: Ka kohë për kompromis nëse do Rama

Ish kreu i PD dhe ish kryeministri Sali Berisha, ka deklaruar se ka ende kohë për kompromis politik për miratimin e Reformës në Drejtësi, gjithnjë nëse sipas tij ekziston vullneti i kryeministrit. Zoti Berisha doli të mërkurën në një konferencë shtypi ku tha se roli i opozitës është konstruktiv në këtë proces, por ajo s’mund të tolerojë kapjen politike të sistemit të drejtësisë nga mazhoranca, e cila po refuzon Rekomandimin 88 të Komisionit të Venecias për vendet e rezervuara në katër institucionet. “Sqarojmë shqiptarët se ne që nesër votojmë reformën në drejtësi, por nuk votojmë kurrë reformën në dorë të Kryeministrit, drejtësinë në dorë të Kryeministrit” tha ai . “I bëj thirrje të mos bëhet varrmihës i konsensusit se historia do të dënojë në mënyrë të pamërishme” shtoi zoti Berisha.
Ish kreu i qeverisë vlerësoi rolin e ambasadorëve në proces, ndërsa shtoi se edhe ata kanë mbështetur draftin e Komisionit të Venecias. Zoti Berisha ka shprehur bindjen se nga radhët e të djathtëve nuk do të ketë rrjedhje votash, për ti mundësuar 94 votat në kuvend mazhorancës, për miratimin pa konsensus të reformës në drejtësi. “Mos mendo se opozita do të japë votat që të futësh në grusht drejtësinë shqiptare. Kjo s’mund të ndodhë” tha zoti Berisha.
Ndërkaq ish kryeministri i bëri apel publik presidentit Nishani të mbledhë Këshillin e Sigurimit Kombëtar për çështjen e përgjimeve. Ai bëri përgjegjës kryeministrin Rama, ndërsa tha se po e përdor vendin fqinj Italinë si mburojë. “Bën gabim fatal të përdorësh si mburojë Italinë, sepse është vepër e jotja urdhëruar nga ti dhe mercenarët e t’u në polici” ju drejtua ai kryeministrit .