KRYEFAQJA » LAJME » Berisha: Ngjarja në Laç, krim shtetëror!
Berisha: Ngjarja në Laç, krim shtetëror!

Berisha: Ngjarja në Laç, krim shtetëror!

Ish-kryeministri dhe ish udhëheqësi demokrat Sali Berisha, vazhdon të mbetet në vijën e parë të aksionit opozitar kundër qeverisë së kryeministrit socialist Edi Rama. Zoti Berisha ishte i pari që reagoi për ngjarjen në Laç. Fillimisht ai publikoi në Fejsbuk foto të dërguara nga një qytetar që akuzonte deputetin socialist Armando Prenga se kishte qëlluar sipas tij 4 persona. “Zjarr mbi qytetarët në komisariatin e Kurbinit nga deputeti, Armandi i Partisë. 4 të plagosur!”, shkruante zoti Berisha. Me tej ai ka akuzuar ashpër kryeministrin Rama, ndërsa ngjarjen e ka quajtur krim shtetëror.
Duke dhënë versionin e tij rreth ngjarjes, ish kryeministri shkruan se “Shkaku i kësaj ngjarje tronditëse të pashembullt është padia që kanë bërë në gjykatë peshkatarët e Fushëkuqes pas heqjes se licencës nga Edi Rama për peshkim në Lagunë dhe dhënies së ekskluzivitetit të peshkimit deputetit vrasës Armando Prenga”. Sipas zotit Berisha ankimi në gjykatë i familjes Cali dhe seanca gjyqësore e datës 2 shtator e ka bërë që deputeti Prenga të shkojë në fshatin e Fushëkuqes me njerëz të armatosur, dhe të terrorizojë fëmijët e familjes Cali. Ish numri një i qeverisë akuzon policinë si të implikuar në ngjarje. “Kjo është fytyra e krimit e Edi Ramës dhe mazhorancës së qelbësirave që qeveris sot vendin!”shkruan ish kryeministri dhe kreu i PD Sali Berisha.