KRYEFAQJA » LAJME » Berisha përjashtohet me 10 ditë, pikëpyetje mbi takimin Rama-Basha
Rama sërish letër Bashës, "Koha nuk pret, sfida është historike"

Berisha përjashtohet me 10 ditë, pikëpyetje mbi takimin Rama-Basha

Vendimi i Byrosë Parlamentare për të përjashtuar ish kryeministrin  Berisha 10 ditë nga parlamenti, pasi sipas saj ai ka lëshuar akuza fyese ndaj kryeministrit Rama, ka çuar në një vendim të ngjashëm edhe nga PD, më e madhja e opozitës. PD vendosi të shtunën të bojkotojë parlamentin për 10 ditë, ndërsa akuzoi mazhorancën se po përpiqet t’i mbyllë gojën opozitës. Kreu i grupit parlamentar të PD-së, Edi Paloka tha të shtunën se PD “…ka vendosur të sensibilizohet me liderin historik të djathtë duke bojkotuar me 10 ditë punimet e Kuvendit, të komisioneve parlamentare dhe të seancës plenare të së enjtes”. “Kjo mazhorancë e ka gabim nëse mendon se mund t’i mbyllë gojën opozitës” tha zoti Paloka. Ndërkaq kreu i PD Lulzim Basha, i cili gjendet në një takim të PPE në Luksemburg, e konsideroi përjashtimin me 10 ditë nga parlamenti të ish kryeministrit Sali Berisha si “shenjë e krizës së rëndë ku gjendet Edi Rama me të tijët”. Sipas tij kjo është manovër e Edi Ramës dhe Ilir Metës “Për ti mbyllur derën në parlament, në tryezat ku ajo duhet të jetë e pranishme. Për ti mbyllur derën në reformën e drejtësisë, në reformën zgjedhore”. Kjo është hera e dytë brenda një muaji që Byroja parlamentare dënon ish kryeministrin dhe liderin historik të PD për sjellje të pahijshme.

Këto zhvillime vijnë një ditë pas komunikimit në distancë mes zotit Rama dhe zotit Basha, komunikime që duket se zyrtarizuan takimin e shumëpërfolur midis tyre. Por ngjarjet e 24 orëve të fundit duket se e kanë vënë në dyshim takimin e 1 qershorit. Sipas disa analistëve, midis palëve sërisht kanë lindur mosmarrëveshje  në pamje të parë të  evitueshme.