KRYEFAQJA » LAJME » Berisha sulmon Ramën: Ka ndërruar emrin për shkak të aferave të jashtëligjshme
Berisha sulmon Ramën: Ka ndërruar emrin për shkak të aferave të jashtëligjshme

Berisha sulmon Ramën: Ka ndërruar emrin për shkak të aferave të jashtëligjshme

Ish kryeministri Sali Berisha vazhdon të mbajë lart flamurin e luftës së ashpër politike ndaj maxhorancës së majtë. Si zakonisht në qendër të këtij sulmi është vënë kryeministri socialist Edi Rama. Duke folur në seancën parlamentare të së enjtes, lidhur çështjen e dekriminalizimit, zoti Berisha akuzoi zotin Rama  se ka ndërruar emrin për ti shpëtuar disa aferave antiligjore në të shkuarën. “Nuk më pengoni të them të vërtetën. Unë e kam thirrur në emrin e vërtetë. Se nga Evdin u bë Edi për shkak të dosjes spanjolle dhe për shkak të akuzave të Kadriovskit, për shkaqe që duhet ti sqarojë”. Reagimi i socialistëve solli ndërprerjen e seancës, por zoti Berisha vazhdoi edhe më tej akuzat dhe sfidat ndaj kryeministrit Rama. Ai e akuzoi se ka shpifur kur ka thëne së brenda listave të PD ka njerëz me precedent. “Unë e sfidoj këtu para të gjithëve, do ta sfidoj edhe para gjithë botës: Gjej qoftë dhe një të vetëm, qoftë dhe një të vetëm, jo tani, por nga 1991 deri më sot, në listat e deputetëve të PD me tanxhente e vrasje dhe unë dorëzoj mandatin tim” tha zoti Berisha jashtë parlamentit.
Edhe me rifillimin e seancës ish kryeministri dhe udhëheqësi i PD Sali Berisha vazhdoi edhe më tej akuzat ndaj zoti Rama ndërsa ky i fundit, mungonte. Përfaqësuesit e maxhorancës kanë reaguar ashpër dhe kanë kërkuar dënimin e Berishës me 10 ditë mospjesmarrje në parlament. Vetë zoti Rama i ka pritur akuzat gati me përçmim. “Gjithë lajmeve për shejtanbudallallëqet e Saliut u shkon veç një titull:”Hedh një budalla një gur në lumë, 100 të mençur s’e nxjerrin dot” shkruan ai.
Seanca parlamentare e së enjtes ishte një rast tjetër për të parë se sa larg janë palët nga miratimi i Reformës në Drejtësi, ndërsa komuniteti ndërkombëtar po u bën thirrje për bashkëpunim.