KRYEFAQJA » LAJME » Ekonomi » BERZH-i optimist për ekonominë shqiptare
BERZH-i optimist për ekonominë shqiptare

BERZH-i optimist për ekonominë shqiptare

Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH)parashikon rritje të qëndrueshme të ekonomisë së Shqipërisë me 2.3 për qind në 2015, pavarësisht përmbytjeve të mëdha në jug të vendit gjatë fillimit të vitit. Kjo bëhet e ditur në raportin e publikuar të enjten mbi Perspektivat Ekonomike Rajonale. Sipas BERZH-it, autoritetet rritën përpjekjet e tyre për uljen e informalitetit në ekonomi dhe promovuan në prill 2015 Këshillin e Investimeve, i mbështetur nga BERZH, i cili synon përmirësimin e klimës së investimeve në periudhën afatmesme. BERZH parashikon që rritja ekonomike të arrijë nivelin e 3.3 për qind në 2016 mbështetur në pritshmëritë për përmirësime të situatës në eurozonë dhe fillimit të ndërtimeve të Trans-Adriatic Pipeline (TAP).
Megjithatë, sfidat fiskale vazhdojnë të jenë të ndjeshme dhe qeveria po përpiqet të arrijë objektivat e miratuara në kuadër të programit të FMN-së, vlerëson raporti i BERZH.
Në përgjithësi, pritshmëritë për ekonomitë ku BERZH investon vazhdojnë të jenë të ndara midis shteteve më në lindje të ndikuara nga reçesioni i Rusisë dhe çmimet e ulura të gazit dhe mallrave të tjera. Rajonet më në perëndim, sipas BERZH, po përfitojnë nga ringritja e eurozonës dhe ndikimi i zbatimit të politikave monetare të Bankës Qëndrore Evropiane. Sipas raportit të fundit të BERZH “Perspektivat Ekonomike Rajonale”’, rritja ekonomike rajonale pritet të ngadalësohet në 0.2 për qind këtë vit, nga 1.8 për qind në 2014. Në vitin 2016 pritet një rritje e moderuar ekonomike prej 1.6 për qind. Këto parashikime janë të pandryshueshme nga maji, por ato fshehin diferencat rajonale.